Zëvendëskryeministri Jevtiq kërkon të hetohet intervenimi i policisë në Mitrovicë
Prishtinë, 29 mars - Në hapje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq i është drejtuar kabinetit qeveritar me një fjalë në lidhje me ngjarjet e zhvilluara të hënën në Mitrovicë, ku u arrestua shefi i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.
Ai ka vlerësuar se rasti nuk i ka kontribuar paqes dhe gatishmërisë për bashkëpunim dhe se qëndrimi i “Listës serbe” për të vazhduar qëndrimin dhe bashkëpunimin në institucionet e Kosovës, është që të hetohet rasti i intervenimit të policisë në Mitrovicë; krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe; dhe bashkëpunimi i sinqertë më të gjitha institucionet.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se çështjet e ngritura nga zëvendëskryeministri Jevtiq do të diskutohen në Qeveri dhe institucionet tjera dhe ka kërkuar largpamësi në të mirë të paqes dhe bashkëpunimit në vendin tonë.
Kryeministri ka apeluar për angazhim të tejkalimit të situatës së krijuar dhe ka shprehur qëndrimin se intervenimi policor nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti.
“Kosova mbetet e vendosur dhe e përkushtuar për vazhdimin e dialogut”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj gjithashtu ka apeluar që të mos keqpërdoret rasti, i cili nuk ishte i drejtuar në asnjë rrethanë kundër ndonjë komuniteti.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Kosova ka një rend kushtetues dhe juridik, i cili duhet të respektohet nga të gjithë. Edhe në Bruksel, në procesin e dialogut është arritur marrëveshje për kushtet dhe mënyrën e realizimit të vizitave reciproke të zyrtarëve qeveritar nga të dyja vendet.
“Dua të theksoj se edhe ngjarjet e djeshme në Mitrovicën veriore janë të papranueshme”, ka thënë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar është informuar për procesin e përmbushjes së kërkesave që dalin lidhur me Raportin e progresit për vitin 2018, nga institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës. Ministrja e Integrimeve Evropiane ka listuar aktivitetet që kanë mbetur pa u realizuar dhe ato që janë në proces.
Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë që të shfrytëzohen ditët e mbetura deri në miratimin e Raportit të radhës, të realizohen sa më shumë aktivitete dhe Kosova të prezantohet sa më denjësisht në Raportin e radhës.