Zëvendës-ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s arrin në Kosovë
Prishtinë, 19 qershor Zëvendës-ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, shkëlqësia e tij John Manza vizitoi selinë e KFOR-it, të hënën.
Gjatë vizitës së tij, shkëlqësia e tij John Manza u prit nga gjeneral-major Giovanni FUNGO, komandant i KFOR-it dhe u informua për zhvillimet e fundit mbi situatën aktuale të sigurisë dhe situatën socio-politike në Kosovë.
\"Stafi i KFOR-it veçanërisht vuri në dukje rezultatet e rëndësishme të arritura nga KFOR-i për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes, duke mundësuar kështu zhvillimin e kushteve më të mira sociale dhe ekonomike për të gjithë qytetarët në Kosovë\", thuhet në një komunikatë të KFOR-it.
Manza gjithashtu u takua me ambasadorët e QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara), si dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.
Gjatë këtyre takimeve, ata diskutuan rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit të ndërsjellë midis organizatave të komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve në Kosovë, për të përmirësuar, nëpërmjet dialogut, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Kosovës.