Zbulohet Pllaka Përkujtimore në nderim të ushtarëve sllovakë të KFOR-it
Prishtinë, 19 janar - Në Prishtinë sot u zbulua pllaka Përkujtimore në nderim të 42 ushtarëve sllovakë, që humbën jetën në aksidentin ajror duke u kthyer nga misioni i tyre në kuadër të KFOR-it në Kosovë, dhjetë vjet më parë.
Ngritja e Pllakës përkujtimore për ushtarët sllovakë, e vendosur në Pakun e Qytetit në Prishtinë, u bë me iniciativën e Presidentes Jahjaga.
Zbulimin e saj e bënë Presidentja Jahjaga dhe z.Miroslav Lajčák, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, si dhe mysafirë të tjerë.
Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga theksoi:
Sot jemi mbledhur për të përkujtuar dyzet e dy ushtarët sllovakë, të cilët, para 10 vitesh, në përmbyllje të misionit të tyre në kuadër të KFOR-it, forcës paqeruajtëse në Kosovë, humbën jetën në një aksident tragjik ajror, që shënon njëherit humbjen më të madhe të këtij misioni të NATO-s në Kosovë.
Është ky përvjetor i 10-të me anë të të cilit Republika e Kosovës dëshiron të njohë sakrificën individuale të 42 ushtarëve sllovakë për paqen dhe lirinë, dhe Sllovakinë si një komb për vendosmërinë e saj për të mbjellur farën e stabilitetit në Ballkan, duke dërguar ushtarët e saj për të mbajtur paqen në Kosovë.
Dyzet e dy emrat, të cilët i kemi shkruar në këtë pllakë përkujtimore, në këtë vend të qetë të kryeqytetit tonë, do të jenë përkujtues i përhershëm i vlerave dhe idealeve, të cilat na bëjnë bashkë si kombe dhe si njerëz. Për një gjë më të madhe se secili prej nesh. Për njerëzimin.
Ata, dhe gjenerata të ushtarëve të dërguar nga 29 vende kontribuuese të KFOR-it, gjatë një periudhe të pothuajse dy dekadave, kanë shumë arsye për tu ndier krenarë sot, kur shohin një vend dikur të kapluar nga lufta, e sot zot i fatit të vet, duke rrugëtuar drejt prosperitetit, drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ne jemi përkushtuar që do të ndërtojmë një shtet prosperues, një Kosovë faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Sot, përkundër tërë sakrificës që na është dashur ta bëjmë për t\'i rindërtuar jetët tona, dhe sfidave të shumta në rrugëtimin tonë demokratik, me përkrahjen e partnerëve tanë strategjikë dhe ndihmën e miqve tanë, ne kemi ecur përpara, të bindur në përcaktimin tonë euroatlantik dhe të pazmbrapsur në arritjen e këtij synimi.
Siç e dëshmon ky monument, si dhe shumë monumente të tjera në mbarë Kosovën, liria kërkon sakrifica të shumta. Liria vjen me një çmim të lartë, por vlera e saj është shumë më e madhe. Siç është edhe detyra jonë për ta mbrojtur atë. Sepse kjo është një fundament i paqes.
Këta dyzet e dy paqeruajtës dhe mijëra të tjerë që kaluan nëpër Kosovë, janë pjesë e pandashme e historisë tonë të re. Kosova gjithmonë do të jetë falënderuese për kontributin e tyre dhe këtë sakrificë sublime.
Në ceremoni foli edhe zëvendëskryeministri Miroslav Lajčák, i cili tha:
Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar përvjetorin e dhjetë të tragjedisë më të madhe në historinë e forcave ushtarake sllovake. Mu para 10 vitesh, më 19 janar, 42 anëtarë sllovakë të KFOR-it, të cilët i kishin përmbushur me nder dhe respekt detyrat e tyre në Kosovë, ishin nisur për në shtëpi, për ti përqafuar përfundimisht gratë, fëmijët dhe prindërit e tyre. Por, fatkeqësisht, ata kurrë nuk arritën në shtëpitë e tyre.
Dyzet e dy prej tyre vdiqën kur aeroplani i cili po i bartte u rrëzua. Ata gjetën fatin e tyre në Hejce, një fshat i vogël hungarez, pranë kufirit tonë të përbashkët. Në fund, vetëm një ushtar u kthye në vendlindje, të cilës ai, së bashku me ushtarët tjerë, i kishte shërbyer me krenari. Është si në një ep heroik; heroi përfundon misionin dhe vdes. Fatkeqësisht kjo nuk është një libër. Kjo ishte pjesë e jetës së vërtetë. Trupat tona ishin dhe mbeten heronj të vërtetë, për të mos u harruar kurrë nga populli sllovak.
Mbaj mend personalisht ardhjen e trupave tona të KFOR-it, e cila ndodhi gjatë mandatit tim si ambasador i Sllovakisë në Beograd, po ashtu përgjegjës për Kosovën. Kam udhëtuar shpesh që ti vizitoj këtu. Isha dëshmitar i vendosmërisë, pasionit dhe vullnetit të tyre, gjatë kryerjes se detyrave. E njihja rutinën e tyre, ndaja brengat e tyre dhe kënaqesha me karakterin e tyre. Tragjedia në mënyrë thelbësore preku zemrën dhe shpirtin tim.
E nderuara Zonja Presidente, shumë fjalë të falënderimeve të mia të sinqerta shkojnë për ju, për iniciativën tuaj për të ngritur këtë monument. Është për ata të cilët humbën jetën, pasi që dhanë më të mirën e tyre për të ardhmen e Kosovës. Tani, ata mund të prehen në paqe, në mënyrë simbolike në qendër të Prishtinës, në parkun e qytetit.
Jemi mirënjohës që populli i Kosovës nuk e ka harruar fatin e rëndë të këtyre ushtarëve dhe se çfarë kanë bërë ata për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në mbarë rajonin.
Kur Sllovakia filloi pjesëmarrjen në misionin e KFOR-it në shtator të vitit 1999, Kosova ishte mu në fillim të zhvillimit të saj pas konfliktit. Kishte plotë të panjohura, mosbesim dhe rreziqe sigurie, por po ashtu plot pritshmëri dhe shpresë. Misioni ndërkombëtar ushtarak solli paqe, respekt të ndërsjelle dhe stabiliteti të qëndrueshëm. Ushtarëve sllovakë iu caktuan detyra të ndryshme. Ata fillimisht u fokusuan kryesisht në prioritetet më urgjente. Ndihmuan në rekonstruktimin e infrastrukturës së dëmtuar nga lufta, në mënyrë që ta përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve. Më vonë ata morën pjese në deminimin e vendit dhe parandalimin e dhunës në mes të grupeve etnike. Të gjitha aktivitetet e tyre kishin për qëllim ndihmën, mbështetjen dhe mbajtjen e paqes.
Sot, ne po shohim se sa shumë është bërë, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Kosova po ndërton institucionet e saj, po adopton rregulla të përbashkëta dhe po krijon kushte të mira për të gjithë, pa marrë parasysh etninë apo fenë e tyre. Kosova dëshiron ti bëjë ata të ndihen në shtëpi, gjë e cila është korrekte. Po e shihni ushtarë, bashkatdhetarë të mi të dashur, se sakrifica e juaj e fundit nuk ka shkuar kot. Ju e latë këtë botë shumë herët, por shkuat vetëm atëherë kur në mënyrë të guximshme ndihmuat këtë pikë të vogël të botës të quajtur Kosovë që të bëhej një vend më i lumtur për të jetuar në të.
Kosova sapo ka shënuar një sukses shumë të madh në rrugëtimin e saj kyç drejt Evropës. Bashkë me mbështetjen sllovake, ju keni nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me një potencial të ndjeshëm për ti kontribuuar zhvillimit të saj social dhe ekonomik. Për më shumë, është një hap fundamental drejt rrugës së saj të gjatë drejt Bashkimit Evropian. Kjo po ashtu dëshmon se ka perspektivë konkrete evropiane për ata të cilët i kryejnë detyrat e shtëpisë dhe japin rezultate.
Kjo sigurisht se do të sjellë energji pozitive në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme. Pos kësaj, jo shumë kohë më parë Sllovakia kalonte nëpër proces të njëjtë. Na kujtohet puna e rëndë e cila duhej bërë. Prandaj, më lejoni të them, punë e mirë Kosovë, vazhdoni kësisoj. Por, një komb duhet ta dëshmojë pjekurinë dhe afinitetin ndaj vlerave evropiane, dhe këtë e bën duke zgjidhur problemet e veta nëpërmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit të vendosur. Gazi lotsjellës, hedhja e vezëve dhe bllokimi i institucioneve shtetërore nuk janë rrugë nëpër të cilën duhet të shkohet.
Në fund, edhe një çështje vlen të përmendet; dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit është alternative e vetme e qëndrueshme drejt arritjes së normalizimit të qëndrueshëm në mes të dy palëve. Çelësi për sukses gjendet tek marrëveshja historike e prillit të vitit 2013, e specifikuar më tej me principet e asociacionit të komunave me shumicë serbe të gushtit 2015, dhe shpjegimet pasuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Nuk ka çështje të vogla dhe të mëdha. Të gjitha janë të rëndësishme. Për kosovarët, serbët, si dhe për evropianët. Vetëm nëpërmes dialogut mund të identifikojmë interesat e përbashkëta, që ta sjellim mbarë regjionin e Ballkanit aty ku e ka vendin meritor, në Evropë. Dhe kjo është e ardhmja e Ballkanit për të cilën të gjithë shpresojmë. Jam i sigurt se shpresonin edhe pjesëtarët sllovakë të KFOR-it kur u nisën nga këtu për udhëtimin e tyre të fundit para 10 vitesh.
Ju faleminderit për pjesëmarrje në ceremoni dhe për nderimin që u bëtë bashkëvendësve të mi të rënë. Ju lutem nderoni kujtimin për ta. Ju faleminderit shumë.
Pas përfundimit të ceremonisë, Presidentja Jahjaga e priti në një takim në kabinetin e saj zëvendëskryeministër sllovak, Miroslav Lajčák, me të cilin bisedoi për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe në rajon, agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.