26 Dhjetor 2024

Zbatimi i agjendës “Gratë, paqja dhe siguria” kyç për një zhvillimi të qëndrueshëm

Prishtinë, 9 korrik - Kryesuesja e radhës e OSBE-së Ann Linde, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë, e përmbylli vizitën e realizuar në Kosovë së bashku me Ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendësdrejtoren Ekzekutive të UN Women, Åsa Regnér.

Programi i vizitës përfshiu takime me Misionin e OSBE-së në Kosovë, autoritetet e Kosovës dhe shoqërinë civile.

Linde i inkurajoi autoritetet që të kenë dhe më tej në fokus barazinë gjinore dhe gëzimin e të drejtave të njeriut nga gratë dhe vajzat, në veçanti zbatimin e agjendës “Gratë, paqja dhe siguria”. Kryesia suedeze synon që ta bëjë agjendën “Gratë, paqja dhe siguria” pjesë të punës së përditshme të strukturave të OSBE-së.

“Për të arritur paqe dhe siguri të qëndrueshme për gjithsecilin, proceset e lidhura me paqen dhe konfliktin duhet të jenë gjithëpërfshirëse ashtu që të gjitha grave, burrave, vajzave e djemve t’u jepet mundësi që zëri i tyre të dëgjohet në proceset që prekin jetën e përditshme dhe sigurinë e tyre” – tha kryesuesja Linde.

Linde theksoi rëndësinë e partneritetit mes Qeverisë së Kosovës dhe OSBE-së, në veçanti me Misionin e kësaj organizate në Kosovë, për të avancuar reformat më tej.

 “OSBE do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për ta fuqizuar barazinë gjinore dhe për të luftuar dhunën në familje, si dhe për të siguruar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut nga gratë dhe vajzat,” deklaroi Linde pas vizitës që i bëri njërës prej zyrave në terren të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe diskutimeve në lidhje me agjendën “Gratë, paqja dhe siguria” me përfaqësues rajonalë dhe komunalë, si dhe me shoqërinë civile.

“Pjesëmarrja e shoqërisë civile i ndihmon OSBE-së për të marrë vendime të mirëinformuara, përfshirë lidhur me zbatimin e agjendës “Gratë, paqja dhe siguria”.

Linde mes tjerash komentoi edhe agjendën e reformave në Kosovë: “Arritjet e deritanishme në funksionimin e institucioneve demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit janë konsoliduar mirë. Angazhim më konstruktiv është hap përpara.”

Në takimet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministrin për Komunitete dhe Kthim Goran Rakić, Linde i lavdëroi institucionet e Kosovës për partneritetet e fuqishme që kanë ndërtuar me OSBE-në.

“Një gamë e gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me komunitetet, duke filluar nga respektimi i të drejtave gjuhësore, kthimi i personave të zhvendosur, reforma zgjedhore e deri te barazia gjinore – të punojmë së bashku nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.”

Duke komentuar rreth dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE-ja, Linde u shpreh se rifillimi i këtij procesi është inkurajues.

“Është e rëndësishme që të ketë angazhim konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. OSBE e mbështetë dialogun e lehtësuar nga BE dhe është e gatshme të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve në përputhje me mandatin e saj” u deklarua ajo.

Ndër çështjet e diskutuara ishin edhe stabiliteti rajonal dhe pajtimi, ku Linde vuri në dukje se: “Bashkëpunimi i ngushtë me vendet e rajonit është parakusht vendimtar për integrimin, prosperitetin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)