Xhihadisti i penduar ktheu Erionin
Prishtinë, 17 tetor - Erion Zena i është kthyer nënës së tij, Pranverës, me të cilën nuk e ishte takuar nga 7 korriku i këtij viti. Për largimin e Erionit në Siri, babai i tij Arbeni ishte dashur që ta mashtrojë bashkëshorten Pranverën, duke i thënë se po shkonin bashkë me djalin në Rugovë.
Por, jo kaq i thjeshtë ishte edhe kthimi i djaloshit 8-vjeçar nga Siria në Kosovë. Një burim i gazetës Zëri ka rrëfyer se e gjitha është mundësuar falë dëshpërimit të një xhihadisti kosovar, i cili kishte kërkuar bashkëpunim me organet e sigurisë së Kosovës.
Thirrja e Pranvera Abazit për tiu kthyer djali në shtëpi, preku zemrën e një shqiptari në Siri që kishte shkuar atje për të luftuar përkrah organizatave ISIS dhe Al Nusra, shkruan Tribuna
Ai vendosi të mundësojë kthimin e djalit në Kosovë, mirëpo fillimisht qiti një kusht për organet e drejtësisë në vend.
Ai telefonoi në Prokurorinë Speciale për të negociuar me organet e ndjekjes, me qëllim që kur të kthehet në vend mos të ndiqet penalisht, duke e ditur se me shkuarjen e tij atje kishte kryer vepër penale të terrorizmit dhe mund të pësojë sikurse shumë të tjerë që në gusht dhe shtator u arrestuan nga policia. Kjo dhe pendimi e kanë shtyrë shqiptarin nga Kosova që të ndihmojë kthimin e Erionit.
Ka telefonuar dhe ka treguar se mund ta kthejë Erionin nga Siria, por me kusht që të mos ndiqej penalisht pasi që ishte penduar, tha një burim i gazetës nga Prokuroria Speciale. Ky person sipas këtij burimi ka sqaruar se djali tetëvjeçar ishte në Siri nën përkujdesje të disa familjeve shqiptare, pasi që babai i tij kishte shkuar në Irak që të merrte pjesë në luftë.