22 Dhjetor 2024

Xhelili: Raporti i Departamentit të SHBA-ve ishte vlerësim real

Prishtinë, 15 qershor - Sot, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili mbajti konferencë me gazetarë, me ç‘rast foli rreth raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Trafikimin me Qenie Njerëzore, si dhe për progresin që ka shënuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e Kosovës në këtë fushë.

Në konferencën e sotme për media, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili theksoi se “kategorizimi i shtetit tonë dhe rangimi në pozitën e dytë nënkupton sukses për institucionet tona, sepse tregon që vlerësimi për institucionet tona në tentim të ngritjes së kapaciteteve edhe në drejtim të parandalimit, edhe në drejtim të ndjekjes dhe të mbrojtjes së viktimave të trafikimit është duke u bërë me sukses. Në këtë kategori hyjnë edhe disa shtete të Bashkësisë Evropiane për ta bërë një krahasim dhe për ta patur një pasqyrë më të qartë për nivelin dhe rangun e kategorizimit siç janë Zvicra, Greqia, Hungaria, Lituania, Estonia, Mqedonia, Shqipëria dhe në shtete të tjera të regjionit.

Duke e patur parasysh se krimi i organizuar në të cilën kategori hyn edhe trafikimi është krim me përmasa jo vetëm nacionale, por edhe regjionale, atëherë normalisht që puna e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe përkushtimi i tyre në luftë të përbashkët kundër trafikimit jep edhe rezultate më të suksesshme.

Pyetja e parë dhe kryesorja është se a është Kosova burim i trafikimit?, që është një pyetje që na ka brengosur të gjithëve. Sipas të dhënave statistikore me të cilat disponon shteti ynë, Kosova nuk është burim i trafikimit. Nga asnjë shtet të BE-së, ne nuk kemi marrë zyrtarisht asnjë kërkesë për të kthyer ndonjë viktimë të trafikimit që është identifikuar si qytetar i shtetit tonë.

Mund të quhet që shteti ynë është vend tranzit i trafikimit dhe vijat e qarkullimit për trafikim kalojnë edhe nëpër shtetin tonë, por fatmirësisht ngritja e kapaciteteve dhe cilësisë së shtetit tonë është duke ndikuar që ai numër i viktimave të trafikimit të jetë në rënie, derisa jam duke folur për të dhënat e shtetit tonë. Nuk jam duke folur për të dhënat që i japin shoqatat apo individët pa u bazuar në të dhëna të institucioneve shtetërore. Investimi shumë i suksesshëm në fushën e parandalimit ku është punuar në sensibilizim të opinionit për t’u vetëdijësuar për pasojat e trafikimit, viktimat e trafikimit është shumë i suksesshëm dhe është punuar me grupmoshat nga më të rejat deri te grupmoshat më të vjetra. Është punuar me grupmosha nga vendet urbane, si dhe nga vendet rurale, si dhe janë implementuar në programet arsimore nga nivelet shkollore fillore, të mesme dhe në fakultete, si dhe në njësi mësimore dhe në ligjërata që e zgjojnë kurreshten e qytetarëve për të ndihmuar luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore për t’u dalë në ndihmë viktimave të trafikimit. Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës së bashku me organizatat joqeveritare gjithmonë janë munduar që t’i gjejnë temat sensibilizuese dhe vetëdijësuese për qytetarët dhe opinionin tonë. Mekanizmi antitrafikim ka organizuar fushata dhe organizon ligjërata në komunikim bashkë me mediat dhe me qytetarë.

Përmirësime evidente janë bërë edhe në drejtim të mbrojtjes. Shteti ynë edhe përkundër buxhetit të vogël ndan mjete edhe për strehimore dhe viktima të trafikimit. Kemi strehimoren e rrezikshmërisë së lartë që e financon shteti, përmes së cilës mundohemi të ofrojmë akomodimin për viktima të trafikimit në kushte që i përgjigjen një jete normale të qytetarit.

Po ashtu është avancuar mjaft edhe segmenti i ndjekjes. Drejtoria për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore është duke u profilizuar në një segment shumë të rëndësishëm të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi duke bërë edhe trajnime shtesë me Njësinë e patrullimeve për të fituar njohuri për viktima të trafikimit dhe për t’i identifikuar më lehtë. Edhe Gjyqësia dhe Prokuroria jonë janë në reformim e sipër. Aty kemi rezultate që ne i konsiderojmë të arsyeshme edhe pse ndoshta jo të mjaftueshme. Gjyqësia jonë ka shqiptuar dënime, ku nga 25 të akuzuar, 22 nga ata janë dënuar edhe pse në instanca gjyqësore mundësia jonë për të ndikuar ëshë e kufizuar, derisa disa nga ata janë liruar.

Në raport është cekur edhe për fëmijët lypsarë. Kjo është kategori e posaçme e fëmijëve, të cilët janë jo vetëm nga shteti ynë. Disa operacione që i ka organizuar Policia e Kosovës ishin operacione të suksesshme në identifikimin e tyre dhe janë identifikuar nga një operacion i posaçëm 93 lypsarë nga të cilët 43 ishin nga Shqipëria, të cilët në bashkëpunim me Policië e Shqipërisë i kemi kthyer në Shqipëri dhe këto operacione i kemi zhvilluar disa herë.

Vlerësojmë se raporti i Departamentit të SHBA-ve ishte një vlerësim real, përjashto fjalinë fillestare bombastike ku të gjithë janë lidhur për këtë fjali dhe ndoshta nuk e kanë patur durimin që të lexojnë raportin deri në fund, i cili pasi të lexohet me kujdes, edhe në këtë raport prezantohet suksesi i institucioneve të Kosovës dhe seriozitetin në qasjen ndaj kësaj dukurie, theksoi ndër të tjera koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)