Wallender vlerësoi ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës
Prishtinë, 8 shkurt - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti sot në takim një delegacion nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Celeste A. Wallender.
Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në vend dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi pasi i shpalosi prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme e informoi, znj.Wallender me situatën aktuale të sigurisë dhe sfidat aktuale, me fokus në pjesën veriore të vendit.
Ndërsa Zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Celeste A. Wallender, vlerësoi progresin e arritur në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve dhe performancës së Policisë së Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan me nevojën e rishikimit të sektorit të sigurisë në vend, në përputhje me situatën aktuale, përgjegjësitë e Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe agjendën e dakorduar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces.