VV: Vendimi i Gjykatës ia hap dyert kriminalizimit të gjyqësorit
Prishtinë, 3 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për media ku u fol për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, si dhe Kryetares së tashme të Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.
Gjykata Themelore konstatoi se duhet të ndërpriten të gjitha veprimet ligjore dhe gjyqësore kundër tyre.
Lidhur me këtë çështje Sami Kurteshi tha se Gjykata Themelore me këtë vendim e bëri hapjen e dyerve për kriminalizimin total të gjyqësorit të Kosovës.
Kur një Gjykatë Themelore, deklaron se vepra e falsifikimit nuk mund të ndiqet edhe në rastin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sepse bie brenda fushveprimtarisë së një gjyqtari, do të thotë se tash e tutje gjyqtarët e Kosovës kanë të drejtë të bëjnë falsifikime, theksoi Kurteshi.
Falsifikimi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk mund të përbëjë veprim të ...marrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Sepse falsifikimi si veprim nuk është veprim që bie brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Themelore, për më keq, shpalli veprimet e gjyqtarit Carolan si të kundërligjshme, sepse gjoja ai ka dhënë dokument në mënyrë të paligjshme jashtë Gjykatës Kushtetuese, edhe pse Carolan kishte vepruar sipas ligjit.
Dokumentin që e ka dhënë gjyqtari Carolan, e ka kërkuar Avokati i Popullit. Me Ligjin për Avokatin e Popullit, neni 23 paragrafi I, thotë që të gjitha organet e pushtetit shtetëror e kanë për obligim ta ndihmojnë Avokatin e Popullit në zhvillimin e hetimeve, si dhe ti ofrojnë ndihmë sipas kërkesës së tij.\"
\"Paragrafi II thotë se refuzimi për të bashkëpunuar me Avokatin i Popullit nga nëpunësi civil, funksionari, ose nga autoriteti publik, përbën shkak që Avokati i Popullit të kërkojë nga organi kompetent fillimin e procedurës administrative që nga marrja e masave disiplinore, deri në largimin nga puna ose nga shërbimi civil. Pra, është obligim i çdo organi, institucioni, pa asnjë dallim, që ti ofrojë dëshmi e dokumente Avokatit të Popullit për çështjet që ngritë ai, u shpreh Kurteshi.
Vendim është në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës dhe të ligjit, madje është në kundërshtim me vetë vendimet e vet Gjykatës Kushtetuese për imunitetin (Rasti Nr. KO98/11, Lidhur me imunitetin e deputetëve të Kuvendit...). Ky vendim edhe njëherë më shumë dëshmon se ky gjyqësor është krejtësisht i kapur nga politika dhe qarqe të tjera të fuqishme, formale e joformale.
Nëse një vendim i tillë mbetet në fuqi, pasojat afatgjata do të jenë se në Kosovë gjyqësori në përgjithësi, veprën kriminale e shpallë si vepër brenda fushëveprimtarisë së një gjyqtari. Ky është rreziku më i madh që mund ti ndodhë Kosovës, tha në fund Kurteshi.