VV: Të dënohet kryetari i Klinës, Sokol Bashota
Prishtinë, 5 shkurt - Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka vlerësuar se bastisja e Komunës së Klinës dhe shtëpia e Kryetarit Bashota, ka ardhur si rezultat i Kallëzimit Penal të ushtruar nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë në tetor të vitit të kaluar.
Ne kërkojmë nga prokuroria që ta kryejë punën e vet duke hetuar të gjitha rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të bëra nga Bashota dhe ekipi I tij, si dhe dëmet që ata i kanë shkaktuar qytetarëve të Klinës. Ne i garantojmë qytetarët e Klinës se VETËVENDOSJE! do të vazhdojë me denoncimin dhe luftimin e së keqes kudo dhe kurdo që ajo shfaqet, tha në konferencën e sotme Shqipe Pantina, deputete e VETËVENDOSJE!-s dhe koordinatore e Qendrës së Klinës.
Dyshimet e ngritura nga prokuroria speciale janë vetëm disa nga shkeljet e evidentuara të Kryetarit Bashota dhe ekipit të tij, ndërsa lista e keqpërdorimeve dhe shkeljeve për fat të keq është shumë më e gjatë dhe daton qysh nga ardhja e tij në pushtet. Punësime pa kritere dhe pa konkurs, financime të projekteve pa i përfillur procedurat e tenderimit, vendime të marra nga njerëz që kanë konflikte të hapura interesi, janë veprime të zakonshme të Kryetarit Bashota dhe ekipit të tij e për të cilat ai asnjëherë nuk ka dhënë llogari as para asamblesë komunale e as para qytetarëve, u shpreh Skender Merturi, asamblist i VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin Komunal të Klinës.
Për të gjitha këto veprime të jashtëligjshme Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar më kohë, si tek çështja e banesave të cilat i janë ndarë zyrtarëve komunale; çështja e ujit të pijshëm ku janë investuar më se 2 milionë euro dhe prapë pa sukses; mënyra e ndërtimit të sheshit të Klinës ku nuk janë përfillur procedurat e parapara me ligj; e të ngjashmë.