VV: Policia Politike e Thaçit kidnapon njerëz për mbrojtjen e Mujës
Prishtinë, 18 mars - Sot në mëngjes, deri sa po pinte kafe në një lokal pranë "Shtëpisë së Bardhë", Kuvendit Komunal në Prizren, u arrestua asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje! Artan Abrashi.
Vetëvendosje thekson se ai po pinte kafe me një nga "qytetarët aktivë" të Prizrenit, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Ramadan Mujës, pas dënimit të këtij të fundit nga Gjykata. Kjo edhe supozohet që është arsyeja e arrestimit.
"Një arrestim i tillë nga ana e policisë, është puro politik. Artan Abrashi si asambleist, ka të drejtë të hyjë e të dalë në të gjitha objektet e Komunës së Prizrenit, ka të drejtë të rrijë e të pijë kafe afër këtyre objekteve, ka të drejtë të takojë qytetarët e Prizrenit dhe është e drejtë e besa edhe obligim moral, qytetar e intelektual i tij që ta luftojë politikisht Ramadan Mujën dhe të ngjashëm si ai."
"Arrestimi apo kidnapimi, thënë më mirë, i tij, tregon se si Hashim Thaçi e ka shndërruar Policinë e Kosovës, në polici politike, në mbrojtjen e pushtetit të tij dhe hajdutëve të tij, të shpërndarë nëpër Kosovë", thekson Vetëvendosje.
Për më tepër, Policia e Kosovës arrestoi edhe aktivistët Selman Sokoli, Shpend Zyba, Drilon Zyba, Bujar Muçaj, Avni Dakaj, si dhe asambleistin e Lëvizjes Vetëvendosje! në Therandë, Leonard Shala, të cilët u solidarizuan me qytetarë e Prizrenit në bllokimin e hyrjes së Komunës.
Lëvizja Vetëvendosje! proteston ashpër kundër kësaj sjellje të Policisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve. Në burg duhet të shkojë Ramadan Muja dhe vartësit e tij e jo qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!