VV: Montimi kundër Alket Zeqirit është kriminal dhe fashist
Prishtinë, 17 mars - Montimi kundër Alket Zeqirit është kriminal dhe fashist
Policia e Kosovës ka lëshuar një deklaratë ku shprehet se dyshon që aktivisti Alket Zeqiri është personi që ka djegur makinën e gruas së Bajram Gecajt. Kjo ngjarje për të cilën policia po dyshon tek Alket Zeqiri, ka ndodhur në datën 24 shkurt.
Në datën 24 shkurt, bashkë me aktivistë të tjerë, Alket Zeqiri ka qëndruar gjatë gjithë ditës në shesh, në kampin e tendave.
Që ta vërtetojë këtë, e ftojmë policinë të kontrollojë kamerat e sigurisë të cilat janë të vendosura në ambientet e Kuvendit, me pamje nga sheshi, si dhe kamerat e sigurisë që janë në lokalin në ndërtesën e ish-Unionit, pranë të cilit ka qenë e vendosur tenda e Alket Zeqirit. Po ashtu, le të kontrollohen edhe kamerat dhe dëshmitë e dhjetra medieve që kanë raportuar vazhdimisht nga kampi me tenda.
Alket Zeqiri, i cili është artist, skulptor, ka qenë pa u shkëputur në kamp, dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme.
Montimi i kësaj akuze ndaj Alket Zeqirit është vetëm një përpjekje e poshtër për t\'ia lënë dikujt përgjegjësinë për ngjarjet e fundit që po ndodhin në Kosovë. Presim nga policia verifikimin e kamerave, lirimin e menjëhershëm të Alket Zeqirit, kërkesë falje ndaj familjes së tij dhe ndaj vetë atij, si dhe pushimin nga puna të zyrtarëve të policisë që po gjejnë kurban për Bajram Gecajn e për fashistët e tjerë në pushtet.