VV dhe familja kërkojnë sqarimin e vdekjes së Astrit Deharit
Prishtinë, 8 nëntor - Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje komemorative kushtuar aktivistit të saj, Astrit Dehari. Ai vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren. Të pranishëm ishin edhe familjarët e Astirt Deharit.
Babai i tij, Avni Dehari ka kërkuar që të sqarohen rrethanat e vdekjes së Astritit.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur sot në Fakultetin e Filologjisë, duke u drejtuar nga fotografia e djalit të tij, babi i Deharit ka dhënë një fjalim prekës.
Si babë e bir jemi mbledh në këtë sallë para këtyre njerëzve për dy qëllime. Ti je në fotografi, dhe të gjithë këta të pranishëm të çmallen me ty dhe ta ruajnë të freskët kujtimin për ty. Unë jam këtu në emrin tënd, në emër të Xhemilës, Albanës, Artës
, që ti falënderojë të gjithë këta njerëz, motra e vëllezër që kanë ardhë të më ndihmojnë që të përballojmë dhembjen, kanë qenë fjalët e para të babait të Astritit.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që të bënë të mos jesh më fizikisht në mesin tonë, deshën të ta bëjnë vdekjen të heshtur.
Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut, u përhap nëpër gjithë Kosovën, në gjithë viset shqiptare, në gjithë atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë. Dhe i ka bërë të gjithë njerëzi që të ndjejnë pikëllimin e madh për ty.
Je i bindur Astrit, se drejtësia, liria e plotë dhe vetëvendosje, ëndërr shekullore e popullit tonë ndër shekuj janë të gjalla, janë të forta dhe do të vazhdojnë deri në jetësimin e tyre. Prehu i qetë se një ditë të gjitha këto do të bëhen realitet, ka thënë në fund Avni Dehari, babai i Astritit.
Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se i ndjeri Dehari ishte arrestuar dhe paraburgosur përmes rastit të montuar. Lidhur me vdekjen e tij, Ymeri tha se drejtësia duhet të sillet në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet shtetërore.
Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta sjellë drejtësinë në vend edhe për Astritin, e veçanërisht për Astritin. Nuk do të pajtohemi kurrë. Regjimi i instaluar në Kosovë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit dhe për këtë do të përgjigjen. Drejtësia do të vendoset. Këtë drejtësi e kërkon Astriti. Në këtë drejtësi insistojmë edhe ne, ka thënë Ymeri.