VV: Atdhe Arifi po terrorizohet psiqikisht në burgun e Lipjanit
Prishtinë, 8 nëntor - Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se me shqetësim ka marr informacione se Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht.
Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti.
\"Vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë ti rezistojnë kësaj Qeverie.\"
\"Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë\", thekson Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje! kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit. Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte.