Vulin ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë
Prishtinë, 24 nëntor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka marrë leje nga institucionet e Kosovës për të marrë pjesë sot në një liturgji në Manastirin e Deçanit.
Vulin ka marrë leje nga institucionet e Republikës së Kosovës. Lejen e ka për vizitë në Manastirin e Deçanit, ka thënë Rexhepi për Epokën e re.
Vulin së bashku me delegacionin e tij kanë arritur në Merdarë para orës 8:00 të mëngjesit, ndërsa është përcjellë nga Policia e Kosovës deri në Manastirin e Deçanit, ku po marrin pjesë në liturgjinë në Manastirin e Deçanit organizuar me rastin e festës së mbretit të shenjtë martir Stefan Deçanskit, që është e kremte e këtij Manastiri.