Vritet një shqiptar në në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 8 prill - Një 38-vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptar, ka humbur jetën si rezultat i një sulmi me mjet eksplodues, në banesën e tij në veri të Mitrovicës, njofton Policia e Kosovës. Rasti ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së dielës, rreth orës 01, në rrugën Kolashini përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve.
Një mjet eksplodues, që besohet të jetë një sasi e eksplozivit plastik, besohet të ketë qenë vendosur dhe aktivizuar në parmakun e dritares së banesës në katin përdhes të familjes Haradinaj, ndërsa në këtë sulm, plagë vdekjeprurëse ka marrë viktima S.H. (1974), kurse janë lënduar bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij, të cilët janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës.
Në njoftim thuhet se Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë janë duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes nën udhëheqjen e Prokurorit Publik.
Deri në këto çaste, nuk është raportuar për persona të arrestuar apo të dyshuar si kryes të këtij akti, ndërsa sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë, është duke ndjekur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit, thuhet në njoftimin e Poilicisë së Kosovës.