29 Dhjetor 2024

Vrasja e Selver Haradinajt, sulm ndaj lirisë dhe ndaj shtetit të Kosovës

Mitrovicë, 8 prill - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë reaguar ashpër pas sulmit me një mjet shpërthyes që ka ndodhur në orët e para të ditës së dielë në zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri të qytetit, ku ka mbetur i vrarë Selver Haradinaj dhe janë plagosur tre fëmijët të tij. 

Ata e kanë dënuar këtë vrasje makabre, që ka për qëllim frikësimin e shqiptarëve dhe si rrjedhojë spastrimin etnik në veri.

Pas gjendjes së krijuar, është mbajtur edhe një takimi jashtëzakonshëm i Komitetit për vlerësimin e sigurisë, ku përveç strukturave komunale dhe atyre të sigurisë, ka marrë pjesë edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës dhe shefat e grupeve parlamentare.

Prej strukturave të sigurisë u kërkua që të ndërmarrin masa urgjente në mënyrë që situata të mos dal jashtë kontrollit.

Kryetari i komunës, pasi shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Haradinaj, tha se ka qenë një sulm makabër që ka tronditur të gjithë qytetarët e Mitrovicës.

“Sulmi me mjet shpërthyes në banesën e të ndjerit, është sulm ndaj jetës,  lirisë dhe ndaj shtetit të Kosovës”.  

Ai theksoi se ky rast nxjerr në pah nevojën urgjente që strukturat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të izolojnë strukturat kriminale serbe që po terrorizojnë qytetarët joserbë. 

“Autoritetet e sigurisë duhet të jenë tepër të vendosura për t’u përballur me këto grupe të organizuara dhe të financuara nga Beogradi, të cilat me çdo mjet janë duke u përpjekur ta provokojnë një reagim të dhunshëm”.

Kryetari Kastrati, poashtu kërkoi nga organet përgjegjëse që të zbardhin rastin sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që akterët e këtij krimi mos të mbetën të pandëshkuar. Pasi shprehu admirim për pjekurinë politike dhe qytetare të banorëve të veriut, potencoi se mosveprimi ndaj grupeve kriminale i trimëron ata që të vazhdojnë me incidente.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të rrisin praninë e tyre në lagjet me popullatë të përzier në veri sa më shpejt që është e mundur.

“Qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe të frikësuar, andaj duhet të shtohen masat e sigurisë urgjentisht”.
   
Mjaft kritik  për strukturat e sigurisë ka qenë kryesuesi i Kuvendit të Komunës,  Rrustem Musa dhe shefat e grupeve parlamentare. Ata kanë thënë se nëse nuk veprojnë strukturat e sigurisë, atëherë gjendja do të mund të përshkallëzohet.

Nystret Mehmeti nga policia rajonale, pasi ka sqaruar detajet e sulmit që ka ndodhur të dielën rreth orës 01:21 minuta, ku është vrarë një dhe janë plagosur 3 persona, tha se ende nuk dihet për llojin e mjetit shpërthyes.

Në anën tjetër, ai theksoi se tashmë janë rritur masat e sigurisë në lagjet me popullatë të përzier dhe në ndërkohë po punohet me EULEX-in dhe KFOR-in për hapat tjerë.    

Në takim u vendos që komuna të merr përsipër përkujdesjen për fëmijët e plagosur, të cilët tashmë janë liruar nga spitali si dhe për nevojat tjera të familjes Haradinaj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)