Vrasësit e Enver Zymberit se shpejti në kërkim nga Interpoli
Prishtinë, 22 tetor - Emrat e të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri shpejtë pritet të shfaqen në faqen zyrtare të Interpolit.
Prokuroria e Qarkut e Mitrovicës ka bërë kërkesë në Gjykatë për lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar dhe pritet që ditët në vazhdim të nënshkruhet nga një gjyqtar për tu adresuar pastaj në sekretariatin e Interpolit në Lyon të Francës, ka bërë të ditur një burim i Koha Ditore nga Gjykata.
Kërkimet në Kosovë për arrestimin e tyre nuk kanë dhënë rezultat deri tash, derisa urdhri për arrestim është lëshuar pesë javë më parë nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës.
Burime nga Policia thonë se të kërkuarit Ratomir Bozovic i njohur si Dude, Radovan Radicit, Milovan Vlaskovicit, Slobodan Vucinicit, Dusan Jovanovicit dhe Ratomir Kasalevicit nuk ndodhen në Kosovë, por fshihen diku në Serbi.
Ky fakt, sipas këtij burimi, është i mjaftueshëm që Gjykata të lëshonte një urdhërarrestim ndërkombëtar, çka do ta detyronte edhe Serbinë si anëtare e Interpolit të kryente kërkime për arrestimin e tyre.