Votuan nga dy herë, tash i pret burgu
Pejë, 19 korrik - Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L. dhe N.L. për vepër penale Keqpërdorimi i të drejtës së votimit nga neni 216 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, të pandehurit N.L. dhe N.L. me datë 11 qershor rreth orës 10:00 në fshatin Dranoc Komuna e Deçanit, me dashje, duke vepruar si bashkëkryerës, votojnë për të dytën herë edhe pse e kanë ditur se kanë votuar njëherë, ashtu që të pandehurit fillimisht kanë shkuar me dëshmitarin S.H. në qendrën e votimit në vendin e lartcekur dhe kanë votuar, pasi kthehen në shtëpi prapë shkojnë me dëshmitarin Sh.L. dhe përsëri votojnë në të njëjtën qendër të votimit.
\"Të pandehurit N.L. dhe N.L. me veprimet e tyre kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara sikur më lart\", njofton Prokuroria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit ti shpall fajtor dhe ti dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barë.