Vllastimir Gjorgjeviqi shpallet fajtor për Krime në Kosovë
Hagë, 23 shkurt - Sot, Dhoma Gjyqësore II e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë shpalli fajtor Vllastimir Gjorgjeviqin, ish-zyrtar i lartë i policisë serbe, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë kosovarë në 1999, dhe e dënoi me 27 vjet burgim.
Gjorgjeviqi, ish-Ndihmësministër i Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe Shef i Drejtorisë së Sigurimit Publik (RJB), u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në 1999, qëllimi i të cilës ishte ndryshimi i përbërjes etnike të Kosovës për të siguruar kontrollin e mëtejshëm serb mbi krahinën.
Ky objektiv u ndoq nëpërmjet një fushate të gjerë terrori dhe dhune kundër shqiptarëve kosovarë, duke përfshirë dëbime, vrasje, transferim të dhunshëm dhe përndjekje. Plani i Përbashkët ose Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale u realizua me miratimin dhe pjesëmarrjen e udhëheqësve politikë të RFJ-së dhe Serbisë, drejtuesve të Ushtrisë Jugosllave (UJ) përfshirë edhe Korpusin përkatës në Kosovë, dhe drejtuesve të MPB-së përfshirë Shtabin e saj në Kosovë.
Dhoma konkludoi se ndër anëtarët kryesorë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale ishin Sllobodan Millosheviq, President i Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe Nikolla Shainoviqi, Zëvendëskryeministër i RFJ-së dhe përgjegjës për Kosovën. Ndër anëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nga MPB-ja ishin Vllajko Stojilkoviq, Ministër i Brendshëm, i Akuzuari Vllastimir Gjorgjeviq, Shef i RJB-së, Radomir Markoviq, Shef i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror, dhe Sreten Llukiq, shefi Shtabit të MPB-së për Kosovën.
Gjykatësit hodhën poshtë pretendimin e Gjorgjeviqit se ai nuk kishte kontroll efektiv mbi përdorimin e forcave të MPB-së në Kosovë, sepse Ministri Stojilkoviq e kishte përjashtuar prej këtij kontrolli.
Dhoma konkludoi se përkundrazi pjesëmarrja e të Akuzuarit në ndërmarrjen e përbashkët kriminale ishte vendimtare për suksesin e saj.
I Akuzuari gëzonte kompetenca të ligjshme dhe ushtronte kontroll efektiv mbi policinë në Kosovë, si policinë e rregullt po ashtu edhe atë rezerviste.
Gjorgjeviqi u shpall fajtor për krime në formën e dëbimeve, vrasjeve, transferimit të dhunshëm dhe përndjekjeve të kryera në 13 komuna të përmendura në aktgjykim si më poshtë; Rahovec, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Deçan dhe Vushtrri.
U konkludua se Gjorgjeviqi mban përgjegjësi për vrasjen e jo më pak se 724 shqiptarëve kosovarë, të cilët u vranë nga forcat serbe, në shumicën e rasteve policia, në shumë prej komunave të përmendura.
Në numrin më të madh të rasteve, viktimat, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ishin civilë të paarmatosur të cilët në asnjë farë mënyre nuk merrnin pjesë në çfarëdo forme të konfliktit të armatosur, ishte konkluzioni i Dhomës.
Më tej Dhoma shtoi se krimet për vrasje të akuzuara në Aktakuzë thjesht ishin ilustruese dhe nuk përbëjnë aspak një pasqyrë të plotë të krimeve të kryera nga forcat serbe, në veçanti nga policia, kundër popullatës shqiptare kosovare gjatë sulmit të gjerë dhe sistematik të përmendur.
Ndër incidentet e vrasjeve për të cilat Gjorgjeviqi mban përgjegjësi ishte pushkatimi dhe djegia e mëpasme e 114 burrave dhe djemve nga Krusha e Vogël, fshat afër Rahovecit, të cilët u vranë nga policia më 26 mars 1999.
Në të njëjtën ditë, policia vrau afërsisht 45 anëtarë të një familjeje në Suharekë. Në Podujevë, forcat serbe rreshtuan dhe hapën zjarr kundër 19 grave dhe fëmijëve, prej të cilëve u vranë 14. Pesë fëmijë të cilët mbetën gjallë, pësuan lëndime të rënda dhe të përhershme.
Gjorgjeviqi u shpall gjithashtu fajtor për dëbim dhe transferim të dhunshëm. Ndonëse mbi 800.000 shqiptarë kosovarë u larguan nga Kosova midis 24 marsit 1999 dhe 20 qershorit 1999, Dhoma Gjyqësore shqyrtoi vetëm incidentet që ndodhën në 13 komunat e përmendura dhe gjykoi se Gjorgjeviqi mbante përgjegjësi për dëbimin e së paku 200.000 shqiptarëve kosovarë nga këto zona gjatë tre muajve dhe theksoi se ky vlerësim është jo i plotë dhe tejet i moderuar, dhe shifra e saktë me gjasë është shumë më e lartë.
Shqiptarët kosovarë u larguan nga Kosova për arsye se ishin forcat serbe ato që i urdhëruan të largoheshin, apo për shkak të veprimeve të forcave serbe që i detyruan të largoheshin, sidomos përmes granatimeve, të shtënave, vrasjeve, dhe djegieve të shtëpive dhe ndërtesave të tjera në fshatrat dhe qytetet e tyre, deklaroi Kryegjykatësi Kevin Parker.
Dhoma hodhi poshtë pretendimet e Mbrojtjes se shqiptarët po largoheshin për shkak të bombardimit të RFJ-së prej NATO-s që filloi më 24 mars 1999, dhe për shkak të luftimeve midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse këta faktorë mund të kenë shkaktuar shqetësime tek disa shqiptarë kosovarë, faktori mbizotërues dhe detyrues i largimit të shqiptarëve kosovarë nga shtëpitë e tyre dhe në shumicën e rasteve nga Kosova, ishte fushata e qëllimshme e dhunës dhe terrorit që kryen forcat serbe kundër civilëve shqiptarë kosovarë, konkludoi Dhoma.
Gjithashtu u konkludua se Gjorgjeviqi luajti rol udhëheqës në orvatjet e MPB-së për mbajtjen në fshehtësi të vrasjeve të shqiptarëve kosovarë.
Provat konfirmojnë se prej javës së dytë të prillit 1999, së paku gjashtë herë gjatë një periudhe disajavëshe, kamionë që transportonin kufoma të shqiptarëve kosovarë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë, arritën në qendrën e SAJit 13 maj, në Batajnicë afër Beogradit, lexohet në vendim.
Dy ngarkesa të tjera me kufoma u çuan në Qendrën Petrovo Selo të SAJ-it. Gjithashtu u nxorën kufoma nga Liqeni Peruçac në Serbi dhe u varrosën në një varr të përbashkët pranë liqenit.
Në 2001 u zhvarrosën kufomat e 744 individëve në Qendrën e SAJ-it në Batajnicë, 61 në Petrovo Selo dhe 84 në Liqenin Peruçac.
Dhoma konkludoi se transportimi i kufomave nga Kosova për varrim të fshehtë në varre të përbashkëta në terrene të MPB-së, u krye në kuadër të një operacioni të koordinuar për zhdukjen e provave të krimeve të kryera prej forcave serbe kundër shqiptarëve kosovarë në Kosovë gjatë periudhës së Aktakuzës.
Ky operacion u krye nën drejtimin e të Akuzuarit, në konsultim me Ministrin Stojilkoviq, në zbatim të një urdhri të Presidentit të RFJ-së, Sllobodan Millosheviq.
Vllastimir Gjorgjeviqi është i teti ndër ish-zyrtarët e lartë serbë që u gjykua për krime të kryera në Kosovë dhe i gjashti që u shpall fajtor.
Ai u akuzua penalisht në vitin 2003, por ishte në arrati deri në arrestimin e tij më 17 qershor 2007, në Mal të Zi. Gjykimi i tij filloi më 27 janar 2009 dhe përfundoi me argumentet përmbyllëse më 13 dhe 14 korrik 2010.
Dhoma dëgjoi mbi 140 dëshmitarë dhe pranoi si prova mbi 2.500 prova materiale, përfshirë shumë urdhra dhe raporte të MPB-së dhe UJ-së dhe procesverbale të mbledhjeve të udhëheqjes politike, policore dhe ushtarake serbe.
Që prej themelimit të tij Tribunali ka akuzuar penalisht 161 individë për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë në periudhën 1991-2001. Kanë përfunduar proceset kundër 125 individëve dhe janë duke u zhvilluar procese kundër 34 të akuzuarve.