Vlerësohet qetësia në ditën e zgjedhjeve në veri
Mitrovicë, 2 dhjetor - Situata e sigurisë gjatë javës së fundit në Mitrovicë, duke përfshirë edhe veriun e qytetit ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme.
Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se qetë kanë kaluar zgjedhjet si në jug ashtu edhe në veri të qytetit.
Fal punës së mirë dhe përkushtimit të strukturave të sigurisë kemi pasur një ditë të qetë edhe me 1 dhjetor ku janë mbajtur zgjedhjet për balotazh.
Ai u ndal më tepër në veri, ku nuk është shënuar ndonjë incident në ditën e zgjedhjeve.
Vlerësojmë jashtëzakonisht nivelin e sigurisë që është krijuar në veri, që u ka mundësuar qytetarëve të dalin lirshëm në zgjedhje, tha ai.
Ndërsa sa i përket anës jugore, Ramiz Isufi nga Policia e Kosovës, tregoi se gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 5 persona, prej të cilëve ende 4 janë në mbajtje për shkelje të ndryshme.