Vlerësohet bashkëpunimi me agjencionet për menaxhimin e emergjencav
Mitrovicë, 24 qershor - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bexhet Bala, ka pritur në takim Fadil Kodrën, drejtor i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave si dhe koordinatorin e Qendrës Operative Emergjente Rajonale, Miran Demiri.
U vlerësua bashkëpunimi i mirë ndërmjet komunës dhe këtyre institucioneve që menaxhojnë me situatat emergjente si në nivel qendror edhe atë rajonal.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka theksuar se koordinimi i veprimeve në rastet e situatave emergjente në mes komunës, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave si Qendrës Operative Emergjente Rajonale rrit efikasitetin e punës. Natyrave situatave emergjente është shumë specifike, ku kërkohet një bashkëpunim ndërmjet shumë institucioneve. Kjo në Mitrovicë është duke funksionuar shumë mirë.
Ai ka potencuar si shumë të rëndësishme funksionalizimin e Qendrës Operative Emergjente Rajonale në Mitrovicë vitin e kaluar. Mitrovica për dallim prej komunave tjera ka një situatë që kërkon vëmendje të shtuar, andaj funksionalizimi i kësaj qendre ka ndikuar shumë pozitivisht në këtë drejtim.
Ndërsa Fadil Kodra, drejtor i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha se një rol jetik për rritjen e cilësisë së punëve të tyre janë duke luajtur edhe drejtoritë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim. Në këtë kuadër ka veçuar si shumë të frytshme punën e kësaj drejtorie komunale në Mitrovicë dhe drejtorit të saj, Behxhet Bala.
Në anën tjetër, Miran Demiri, koordinator i Qendrës Operative Emergjente Rajonale në Mitrovicë, ka falënderuar kryetarin Kastrati dhe drejtorin Bala për mbështetjen e pakursyer për krijimin e kushteve sa më të mira për punë. Në këtë kontekst, ka përmendur objektin që ka siguruar komuna që ofron kushte shumë të mira për punë.