Vlerësohet bashkëpunimi i Prokurorit të Shtetit me Institutin e Bazelit për Qeverisje
Në fokus të këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit të Prokurorit të Shtetit me IBQ-në lidhur me gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme të shtetasve kosovarë, asete këto, të cilat gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Kryeprokurori Lumezi dhe drejtoresha Fenner kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm ndërinstitucional dhe janë zotuar të thellojnë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, me qëllim të avancimit të luftës kundër korrupsionit, krimit​ të organizuar dhe identifikimit të aseteve të përfituara në mënyrë të jashtëligjshme dhe konfiskimin përfundimtar të tyre.
Vizita zyrtare e Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me bartësit e tjerë të funksioneve të sistemit prokurorial në institucionet e shtetit të Zvicrës, përkatësisht, në institucionet e fushës së drejtësisë nga kantonet e Bazelit, Cyrihut dhe Bernit është mundësuar nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, në kuadër të Projektit SAEK III, projekt ky, që mbështetet financiarisht nga qeveria zvicerane dhe ajo suedeze.