25 Dhjetor 2024

Vizitë në familjen shqiptare që jeton pranë barrikadës në Rudare

Prishtinë, 11 gusht - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, ka vizituar familjen e Tahir Kelmendit në fshatin Kelmend të Komunës së Zveçanit, i cili jeton jo larg vendit ku është barrikaduar rruga në fshatin Rudare. Zyrtarët komunalë janë interesuar për problemet e mundshme të kësaj familjeje, anëtarët e së cilës nuk kanë lëvizur asnjëherë nga shtëpia e tyre.

Kryetari Kastrati ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët  e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre nuk janë zhvendosur prej atje. Tha se pushteti lokal në bashkëpunim me atë qendror do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe gjithë qytetarët që jetojnë në veri.

Në këtë kontekst, kryetari Kastrati, ka falënderuar të gjithë qytetarët e veriut, të cilët ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto dy javët e fundit, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë. “Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të del në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”.

Ai theksoj se bllokadat e rrugëve, të cilat kanë nis të eliminohen tashmë, kanë krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. Përmendi se shqiptarët  që jetojnë  në tri fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit që dy javë kanë mbetur të izoluar për shkak të këtyre bllokadave.

Si përgjigje ndaj kësaj situate, ai tha se komuna ka ndihmuar dy herë me artikuj ushqimore dhe mjete higjienike këta banorë. Poashtu ceku edhe hapjen e një rruge malore në mënyrë që të bëhet e kalueshme të paktën për traktorë apo automjete të përshtatshme për rrugë të tilla.

Ndërsa Tahir Kelmendi, falënderoj shumë kryetarin Kastrati dhe drejtorin Veseli për vizitën. Tha se ai nuk ka kurrfarë nevoje për kurrfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që  e lidh me fshatin Boletin, të cilin e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga  në Rudare.

Tregoj se kur nuk ka probleme vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telashe të madhe”.

Tha se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë  ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk e kam ndërmend  të lëvizi. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”.

Kelmendi tregon se në luftë serbët ia kishin vrarë një vëlla, ndërsa një problem tjetër me të cilin është ballafaquar gjatë gjithë jetës është një djalë i tij, të cilin ia kishin verbuar në të dy sytë në kohën kur ishte ushtar në ish-ushtrinë jugosllave. “Ka qenë një tronditje e madhe për ne dhe për të. Ka shkuar i shëndoshë dhe është kthyer i verbër”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)