Vihet nën pranga i dyshuari për fajde
Prishtinë, 11 dhjetor - Si rezultat i hetimeve disa javore të kryera nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot rreth orës 06:00, në bazë të urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës është zbatuar plani operativ policor, me çrast janë kryer kontrollime në katër lokacione - shtëpi banimi dhe janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale fajde nga neni 343 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Plani operativ është zbatuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të mbështetur nga Divizioni i Njësive Speciale, Sektori i Hetimeve të regjionit të Pejës dhe stacioni policor i Gjakovës, ku janë arrestuar pesë persona me dyshim e bazuar se kanë kryer veprën penale fajde dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ku në cilësi të provave materiale janë konfiskuar:
· një revole TT cal. 7.62 mm, një revole Zastava, cal. 7.65 mm, dy revole Bereta, cal. 7.65 mm, një pushkë e llojit karabinë, një pushkë gjuetie, cal. 12 mm, 151 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dhe dokumente të ndryshme.
Të arrestuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, dhe pas intervistës në konsultim me prokurorin është ndaluar për 48 orë njëri nga të dyshuarit, kurse të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.