Vihet gurthemeli për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë
Prishtinë, 20 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Björnsson, sot, në Dyz të Podujevës vunë gurthemelin për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, kryeministri Thaçi tha së ndërtimi i këtij burgu është vazhdim i përkushtimit të Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe hap tjetër në rrugën e pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërtimi i këtij objekti i kontribuon drejtpërdrejt fuqizimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës të sundimit të ligjit në Kosovë. Ky projekt ju mundëson të burgosurve të shfrytëzojnë masat e nevojshme për përmirësimin e tyre dhe ri-integrimin në jetën ekonomiko-shoqërore. Ky investim do të ndikoj në shkarkimin e institucioneve tjera korrektuese në Kosovë, gjë që ndikon në ngritjen e efikasitetit dhe në përmbushjen e detyrave të tyre. Me këto investime krijojmë kushte të përshtatshme për të gjithë personelin e shërbimit korrektues të cilët i shërbejnë vendit të tyre gjatë ushtrimit të këtij profesioni të veçantë, tha kryeministri Thaçi..
Në anën tjetër, ministri Kuçi fillimin e ndërtimit të burgut të sigurisë së lartë e vlerësoi si të rëndësisë vitale për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Kam kënaqësinë të fillojmë punën e një objekti me rendësi vitale për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria e Kosovës ka parasysh ndërtimin e ligjeve të mira, por ka parasysh edhe rregullimin e kushteve të atyre të cilët për arsye të ndryshme janë ndeshur me ligjin. Motoja e jone se ligji duhet të sundohet me ligj promovohet edhe sot, që nënkupton që ata të cilët do të jenë në këtë objekt, do ti kenë të drejtat e tyre ligjore sipas standardeve evropiane, tha ministri Kuçi.
Ndërsa Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, Björnsson tha së ndërtimi i këtij burgu do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Ndërtimi i këtij burgu është edhe një hap tjetër i rëndësishëm për konsolidimin e sundimit të ligjit në Kosovë, është edhe një standard tjetër për mbrojtjen e drejtave të njeriut, duke u bazuar në Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut, po ashtu do të përmbushet njërin ndër kriteret kryesore të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, tha Björnsson.
Ndërtimi i Burgut të Sigurisë së Lartë është projekt i bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Drejtësisë, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës.