15 Maj 2024

“Vidovdani” tensionoi veriun

Mitrovicë, 2 korrik - Situata e sigurisë gjatë javës së fundit ka qenë më e tensionuar, për shkak të grupeve nacionaliste serbe, të cilat ishin futur në Kosovë për të marrë pjesë në festën e “Vidovdanit”.

Kështu u tha të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se grupet nacionaliste serbe me sjelljet e tyre kanë provokuar situatën dhe kanë ndikuar që qytetarët joserbë të ndjehen të kërcënuar.

“Grupet serbe kanë qenë mjaft provokative, por edhe të dhunshme ashtu sikur që ka ndodhur në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë dhe në Merdare”.

Drejtori Bala, tha se situatën  në veri e kanë tensionuar edhe motoristët e shumtë nga Serbia, të cilët në fundjavë kanë qëndruar në veri të vendit.

“Kanë qenë rreth 700 motoristë, të cilët me veshje nacionaliste dhe me sjellje provokuese kanë tensionuar situatën atje”.

Ndërsa, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të marrin masa për parandalimin e incidenteve në afërsi të urës së Ibrit, ku të rinjtë serbë janë duke hedhur sfera të forta në drejtim të të rinjve që shëtisin pranë brigjeve të Ibrit në jug.

“Ka më shumë se një muaj që grupet serbe hedhin sfera të ndryshme të forta, duke rrezikuar qytetarët që frekuentojnë lokalet në jug. Poashtu ato grupe kanë hedhur gjësende të forta edhe në drejtim të Qendrës së Kulturës, duke dëmtuar disa xhama”.

Kryetari Kastrati, tha se strukturat e sigurisë duhet që të patrullojnë më shpesh në afërsi të vendit prej ku grupet serbet po hedhin gjësende të forta në drejtim të qytetarëve në anën tjetër të lumit.

“Kjo duhet të parandalohet, meqë në të kundërtën mund të merret si shkas për eskalimin e situatës”.

  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)