18 Janar 2025

Vetëvendosje: UDB-ja është ulur këmbëkryq në Policinë e Kosovës

Prishtinë, 6 shtator - Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë, Sadri Ramabaja e Qëndron Kastrati, dhe aktivisti Drilon Pireva, gjatë një konference për media folën për dhunën dhe brutalitetin e Policisë së Kosovës pas protestës paqësore të 1 shtatorit ndaj tyre.

Ata rrëfyen se si u trajtuan atë ditë dhe si u maltretuan nga policë, që në vend të detyrës së shërbimit ndaj shtetit, po i shërbejnë pushtetit.

Sadri Ramabaja deklaroi se rasti kur u bastisën zyret e Vetëvendosje!-s me 28 nëntor të vitit të kaluar dhe sjellja e policisë pas përfundimit të protestës së fundit, kanë bërë që ai ta ndërrojë pikëpamjen në lidhje me funksionimin e policisë.

“Kam konstatuar me keqardhje se në institucionin më të lartë të sigurisë së Kosovës, këmbëkryq është e ulur UDB-ja serbe”, u shpreh fillimisht Ramabaja.

Ai përmendi dhe foli detajisht për sjelljen brutale të policisë ndaj Qëndron Kastratit, njëherit i biri i dëshmorit të kombit, Isa Kastrati. Ndër të tjera, Ramabaja tregoi se si teksa ushtronin dhunë mbi aktivistin Kastrati, policët e pyetnin se ku ishte ky në luftë.

“Policia jonë shpeshherë të kujton kohën e pasluftës së dytë botërore. Unë isha aty kur njëri prej policëve e pyet Qëndron Kastratin ‘A ke luftuar ti në Kosovë?’, dhe e godet me helmetën e tij në kokë. Keni parasysh, pak a shumë i njëjti vokabular që përdoret prej Ali Shukriut, në periudhat kur ndiqej rina e Kosovës në ’68-tat e ’81-shën”, theksoi Ramabaja në fjalën e tij.

Ai shtoi se edhe atëherë Ali Shukriu kur ushtronte dhunë mbi shqiptarët, i pyeste ata se a kishin qenë me ballistët apo partizanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndonëse gjatë asaj kohe ata ishin 8-9 vjeç, siç ishte edhe Qëndron Kastrati në luftën e fundit.

Kurse vetë Kastrati, në fjalën e tij shpjegoi ngjarjen e asaj dite. Kastrati tha se ata u arrestuan sepse ua rrëmbyen njërin nga shokët, pa i paraqitur asgjë, veç pse ai kishte fotografuar. Si dhe, shtoi se policët ishin të mllefosur që më 1 shtator nuk pati dhunë.

“Ata në shenjë hakmarrje, përdorin dhunë ndaj nesh. Në një rast, tentojnë të ma lëndojnë dorën më shumë dhe unë pa vetëdije liroj zë. Atëherë ma lirojnë dorën, dhe njëri prej policëve tenton që gishtin tim ta dredhojë deri në atë formë, sa të thyhet”, sqaroi Qëndron Kastrati.

E aktivisti tjetër Drilon Pireva, foli se si duarlidhur ai është rrahur nga policët në oborrin e Ministrisë së Kulturës, dhe tregoi që nga dhuna ka pësuar lëndim serioz në sy, për të cilin tha se ka edhe raport mjekësor. Ai tha se nga dhuna ka edhe shenja të tjera në trup, lëndime që iu shkaktuan nga police që nuk kishin as numra identifikues.

“Dhe krejt kjo ndodhi, përkundër që protesta ishte paqësore”, përfundoi Pireva.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)