Vetëvendosje Kujton Mon Balajn dhe Arben Xheladinin
Prishtinë, 10 shkurt - Sot, u shënua 9 vjetori i protestës së 10 Shkurtit 2007 kundër Planit të Ahtisaarit, dhe në të njëjtën kohë 9 vjetori i rënies së dëshmorëve Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
Deputetë e aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, bashkë me qytetarë të shumtë, bënë homazhe tek varri i Mon Balajt në Besianë, tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, si dhe tek pllaka përkujtimore në sheshin kryesor të qytetit.
Më tej, në Kinemanë ABC u shfaq dokumentari që mbulon ngjarjet e protestës së 10 shkurtit, në të cilën policët e UNIMIK-ut vranë dy protestues dhe plagosën me dhjetëra të tjerë.
Pas dokumentarit u zhvillua një diskutim mbi Pakon e Ahtisarit, organizimin e protestës së 10 Shkurtit dhe mbi vendimin e Panelit këshillëdhënës për të drejtat e njeriut të OKB-së.
As pas vendimit të Panelit këshillëdhënës për të drejtat e njeriut, që i dha të drejtë protestuesve të 10 Shkurtit, as sot, 9 vite pas, nuk kemi drejtësi për këtë rast. Policët rumunë që vranë Monin dhe Arbenin, përveç që nuk u gjetën e nuk u dënuan, ata u dekoruan në shtetin e tyre, tha ndër të tjera Sami Kurteshi.
Drejtuesi i Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Glauk Konjufca, e përshkroi ngjarjen e 10 Shkurtit me 10 teza, ku njëra nga to thoshte: 10 Shkurti e formulon dialektikën mes jetës dhe vdekjes. Ose jeton duke vdekur ose vdes duke jetuar. I pari është dëshmori. I dyti - pluhuri. Njëri bën dritë. Tjetrin e merr era.
10 Shkurti i përcakton konturet e çfarëdo angazhimi të vërtetë kombëtar. Thelbi i 10 Shkurtit ishte protesta e popullit kundër Planit të Ahtisaarit. Në bazament të këtij plani është mohimi i popullit shumicë shqiptar si titullar i republikës. Republika e Kosovës mund të ekzistojë vetëm si projekt i sakrificës se popullit shqiptar për liri.
Sa më shumë kalon koha më shumë na flasin emrat e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, sepse më shumë kuptim merr sakrifica e tyre.