28 Prill 2024

Vetëvendosje kërkon zbardhjen e vdekjes së Dino Asanajt

Prishtinë, 20 qershor - Javën e kaluar, në zyrën e tij private, afër shtëpisë së tij, në fshatin ndërkombëtar në Hajvali, u gjet i plagosur drejtori i Bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, Dino Asanaj.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson në lajmet konfuze që mbërrinin ditën e 14 qershorit, thuhej se Dino Asanaj kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës pas intervenimit të mjekëve në përpjekje për të sanuar plagët e marra nga së paku 11 (njëmbëdhjetë) goditje me thikë.

Të shokuar me lajmin, qytetarët dhe populli i Kosovës, me të drejtë, që në ditën e parë, patën shumë pyetje edhe pse të frikësuar nga natyra e dhunshme e vdekjes së Asanajt. 

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se nga lajmërimet e gazetarëve nga Qendra Klinike Universitare ku së paku kuptohej gjendja dhe plagët e të ndjerit, përnjëherë u kalua në një terr informativ që filloi të duket si një përmbyllje e shpejtë e rastit e që për pasojë kishte frikësimin e mëtutjeshëm të qytetarëve, mosbesimin në institucione, kësaj radhe përfshi këtu edhe institucionet shëndetësore e deri të mosbesimi se institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë si shumë herë më parë nuk do të arrijnë të zbardhin këtë krim të mundshëm.

"Me shpejtësi marramendëse, incidenti u vlerësua si vetëvrasje. Sipas raportit të autopsisë që u bë me blic-shpejtësi, Dino Asanaj kishte goditur vetën me thikë njëmbëdhjetë herë, duke i shkaktuar kështu vetës plagë fatale. Kjo sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore ishte konkluduar sepse nuk kishte pasur shenja rezistence në trupin e Asanajt. Raporti i autopsisë ligjore u shpalos në emisionin televiziv “Interaktiv”, dhe ende nuk është dorëzuar zyrtarisht", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Për të shtuar rrugët e spekulimeve, sipas Vetëvendosjes Dino Asanaj u varros menjëherë të nesërmen me një nguti të paparë në raste të tilla jo vetëm në Kosovë, për të shtuar pyetjet dhe dyshimet e qytetarëve mbi arsyet e vërteta të këtij krimi dhe prapaskenave të mundshme të (vetë)vrasjes se Asanajt.

"Një konsultim i thjeshtë me ekspertë të pavarur gjyqësorë dhe mjekësorë tregon se në raste të tilla të një vdekje misterioze pas 11 plagëve me thikë, pas ndërrimit të duarve me të cilin është goditur viktima, pas gjetjes së barnave në tavolinën e tij, tregon se obduksioni, hetimi dhe analiza e rrethanave (raportet toksikologjike etj.) do të kërkonin shumë më shumë kohë para se i ndjeri të varrosej", vlerëson Vetëvendosje.

Kjo Lëvizje thekson se kështu qytetarët dhe populli i Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me pyetje dhe frikë edhe më shumë se më herët. Vazhdojnë të ngrenë mosbesimin në institucionet e Republikës së Kosovës për t’u marrë me ligj dhe drejtësi. Kësaj radhe vetëm duke iu shtuar akterët dhe institucionet për të përmbyll edhe një rast të madh të krimit të mundshëm që mund të ndodhë në mes të ditës në cilindo qytet të Kosovës.

"Qytetarët nuk janë për t’u fajësuar, sepse përveç faktit që është vështirë për t’u besuar se dikush mund ta godasë veten me thikë aq shumë herë, po ashtu kjo nuk do të ishte hera e parë kur krimet e mundshme mbeten të pazbuluara, posaçërisht kur mund të jenë të përfshira personalitete të larta politike në vend."

"Jetojmë në kohën kur dështimet e institucioneve të hetimit kanë shkuar aq larg sa janë bërë të zakonshme madje edhe vjedhjet në dhomën e dëshmive të cilat janë dhomat e sigurisë më të lartë në shtetin tonë. Kjo dëmton drejtësinë, demokracinë në vend dhe shoqërinë në përgjithësi."

Për të forcuar shtetin e Kosovës, sundimin e rendit dhe ligjit, Lëvizja Vetëvendosje! kërkon transparencë në zbardhjen e rastit të vdekjes së Dino Asanaj.

"Meqenëse tanimë është lëkundur edhe besimi në institucionet e mjekësisë ligjore, dhe meqenëse Dino Asanaj ishte edhe shtetas amerikan, kërkojmë që ekspertë të pavarur të mjekësisë ligjore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë një vlerësim të pavarur të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Dino Asanajt."

Kjo do të mund të hapte rrugë për të zbuluar edhe fakte mbi atë se çka vërtetë ka ndodhur në procesin e privatizimit në Kosovë, duke marrë parasysh njohuritë dhe rolin që i ndjeri ka pasur mbi këtë proces.

Kjo letër do të ju dërgohet edhe zyrtarëve të shtetit amerikan përfshi këtu edhe disa kongresistë e senatorë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)