Vetëvendosje! do të ketë të organizuar 400 kujdestarë
Ata thanë se reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet e BE-së e njohin njëra-tjetrën dhe janë në mardhënie reciproke.
Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe nuk e njohin njëra-tjetrën e megjithatë kanë marrëveshje të tregtisë së lirë.
Më tej ata vazhduan se Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.
Qeveria nuk po e respekton rendin institucional. Ajo po promovon anarki, sepse në mënyrë arbitrare po vendos se cilin vendim a ligj të institucioneve ta zbatojë e cilin jo.
Protesta e 14 janarit nuk është kundër serbëve në përgjithësi, e serbëve në Kosovë në veçanti, por kundër Serbisë dhe në përputhje me vendimin e Kuvendit për reciprocitet të plotë.
Nesër më 14 janar duke filluar nga ora 13:00, Lëvizja Vetëvendosje! do të ketë të organizuar 200 kujdestarë në Merdare dhe 200 në Dhe të Bardhë. Kujdestarët e Lëvizjes Vetëvendosje! janë garancioni ynë që protesta do të jetë paqësore dhe tërësisht e padhunshme.
Policia e Kosovës nuk është kundërshtari ynë. Serbia është kundërshtari ynë. Asnjë protestues nuk do ta provokojë policinë. Besojmë dhe shpresojmë që as policia nuk do ti provokojë protestuesit.
Lëvizja Vetëvendosje! Sindikata e Pavarur e Energjetikës së Kosovës, Federata e Sindikatave të Pavarura- EelektrKosova, Federata Sindikale e Bujqëve të Kosovës, Sindikata e Pavarur e Metalurgëve të Kosovës, Këshilli Grevist i Punëtorëve të Sharr Cem- Hani i Elezit, Qendra Studim Kritikë Veprim- Tetovë, Shkup- Maqedoni, Forumi Demokratik për Integrim-Mal i Zi, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Preshevë, Organizata Konsumatori- Prishtinë, Tifozët nga Gjakovë, Tifozët Plisat- Prishtinë, Tifozët eTetova 1992- Tetovë, Tifozët Arpagjikët Prizren, Agjencia e lajmeve Mekuli Press dhe studentët shqiptarë në Oslo- Norvegji dhe të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë, më 14 janar, nuk do ta pengojnë lëvizjen e lirë, por do ta bllokojnë hyrjen e Serbisë në Republikën e Kosovës.