Veteranët e duan ligjin deri më 10 mars
Prishtinë, 21 shkurt - Kryetari i OVLUÇK-së, Muharrem Xhemajli, e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për procedimin e Projektligjit për veteranët e UÇK-së në Kuvendin e Kosovës. Ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit ti lënë anash dallimet politike dhe ta miratojnë sa më shpejt këtë projektligj.
U bëj thirrje të gjitha partive politike, konkretisht deputetëve, të jenë unikë rreth këtij Projektligji në mënyrë që ta miratojnë sa më shpejt, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të veteranëve të UÇK-së. Shpresoj se deputetët do të jenë të arsyeshëm sa i përket Projektligjit për veteranët e UÇK-së. Edhe më herët kemi kërkuar nga deputetët ta miratojnë një projektligj. Në këtë drejtim OVLUÇK-ja nuk do të ndalet derisa ky Projektligj të bëhet ligj, ka thënë Xhemajli për Epokën e re.
Xhemajli ka paralajmëruar edhe protesta në rast se Projektligji për veteranët e UÇK-së nuk miratohet deri më 10 mars të këtij viti. Procedurat të cilat i ka Kuvendi nuk besoj se janë të pakalueshme. Nuk ka asnjë arsye që miratimi i këtij projektligji të shtyhet. Mjafton që Kryesia e Kuvendit të marrë vendim që Projektligjin për veteranët ta procedojë në seancën e radhës. Në rast se nuk kalon deri më 10 mars, do të mobilizohemi dhe nuk e përjashtojmë asnjë mundësi të cilat na japin statuti dhe programi i organizatës. Nuk i përjashtojmë protestat dhe format e tjera të shprehjes së pakënaqësisë, është shprehur ai.
Xhemajli nuk beson se do të ketë nevojë që OVULUÇK-ja të organizojë protesta.
Shpresojmë se nuk do të ketë nevojë që OVLUÇK-ja të organizojë protesta sepse është në duart e deputetëve fati i veteranëve të UÇK-së. Në të gjitha partitë parlamentare shqiptare ka deputetë të cilët kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së dhe numri i tyre është i mjaftueshëm që ta miratojnë këtë projektligj, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se deri më 10 mars mund të përfundojë suksesshëm kjo çështje.