Veseli paraqitet para gjyqit te martën ndërkaq Selimi të mërkurën
Prishtinë, 6 nëntor - Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit të këtij institucioni, më 10 nëntor. Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi do të paraqitet para këtij instituconi më 11 nëntor.
Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara, seanca ndaj Veselit do të nisë në orën 15:00 dhe do të jetë publike.
Ndërkaq, seanca ndaj Selimit më 11 nëntor do të nisë në orën 11:00 dhe po ashtu do të jetë publike.
Veseli dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 5 nëntor.
Aktakuza ndaj Veselit dhe Selimit për krime lufte ishte konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake më 26 tetor, por nuk u bë publike deri më 5 nëntor.
Në aktakuzën e njëjtë është i pandehur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kreu i kuvendit, Jakup Krasniqi.
Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Seanca e parë i është caktuar edhe Jakup Krasniqit, që do të paraqitet para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, ndërkaq Hashim Thaçi, po atë ditë do të bëjë paraqitjen e parë duke filluar nga ora 15:00.