Veriu sërish tronditet nga një shpërthim
Mitrovicë, 18 shkurt - Pjesa veriore e Mitrovicës, sërish tronditet nga një shpërthim ku cak i sulmit ishte një serb, të cilit iu hodh një granatë dore në oborr, të dielën mbrëma.
Policia e Republikës së Kosovës thotë të ketë pranuar informatën rreth orës 19 e 30, nga vet ankuesi, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ky incident.
Policia ka dalë në vendngjarje, dhe pas vlerësimeve të para hetimore, ka vlerësuar se një granatë dore e tipit M-75, prodhim Jugosllav, besohet të jetë hedhur në këtë oborr. Ndërsa me rëndësi është që nuk ka të lënduar në njerëz, tha ai.
Pronari i shtëpisë, ka njoftuar për dëme të vogla materiale, kryesisht të shkaktuara në xhamat e banesës.
Reagimi i parë për këtë incident ka ardhur nga Beogradi, ku zyra e tij për Kosovën, e ka cilësuar këtë sulm si urim për ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Zona matanë lumit Ibër në Mitrovicë, e banuar me shumicë serbe, ka qenë arenë e disa shpërthimeve gjatë ditëve e javëve të fundit.
Ajo që është shqetësuese, gjithsesi janë rastet e tilla që vazhdojnë të përsëriten, dhe kohët e fundit kryesisht në veri të Mitrovicës, tha Hoti.
Policia vlerëson se shpërthimet e shpeshta kanë ngritur një dozë pasigurie në popullatë dhe shqetësim tek forcat e rendit, të cilat kanë arritur që të lidhin disa shpërthime, me motivin e njëjtë.
Mirëpo, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, ende nuk është gjet një lidhje për rastin e mbrëmshëm me shpërthimet e kaluara. Përveç se është përdor i njëjti mjet shpërthyes, granatë dore e prodhimit jugosllav.
Disa tjera më herët e kemi ndërtuar një motiv të mundshëm, për faktin se kanë qenë individ të punësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, dhe kryesisht prona dhe pasuria e tyre ka qenë cak i sulmit. Ndërsa ky i fundit është i paqartë, tha ai.
Autoritetet në Prishtinë, kryesisht akuzojnë strukturat paralele serbe të sigurisë që veprojnë në veri të Mitrovicës për incidentet që ngjajnë atje.
Për këto institucione, shefat e qeverive në Kosovë e Serbi, do të diskutojnë gjatë takimit të tyre që pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Bruksel.
/rel/