Veriu kërcënuesi i paqes në rajon
Prishtinë, 1 mars - Sot nën organizim të Forumit 2015 u mbajt tryeza e rrumbullakët, ku u prezantua studimi i Institutit Kosovar të Paqes Të largosh mjegullën e një konflikti, i cili adreson problemin e veriut të Kosovës.
Një ndër kërcënuesit e paqes në Kosovë është statusi i pazgjidhur i pjesës veriore të Kosovës. Kështu thuhet në studimin me temën Të largosh mjegullën e një konflikti, të cilin e ka bërë Instituti Kosovar i Paqes.
Gjatë prezantimit të këtij studimi, Adem Beha nga ky Institut, tha se konflikti në pjesën veriore të vendit është në hartat fizike dhe mendore të qytetarëve që jetojnë atje.
Në veri të Kosovës, kryesisht shqiptarët dhe serbët operojnë në dy harta. Fizike-territoriale dhe hartë mendore. Për serbët e veriut të Kosovës, e gjithë Kosova është Serbi, si dhe ngjashëm edhe për shqiptarët në pjesën jugore, tha ai.
Ndërsa, analisti Shkëlzen Gashi duke folur për autonominë komuniteteve në vendet përreth, tha se plani i Ahtisarit ofron më shumë të drejta për komunitetin serb.
Në disa fusha siç është gjuha, media, arsimi Pakoja e Ahtisarit ofron të drejta më shumë sesa që ofron Spanja për Katalonin, kurse në disa fusha ku kanë pak më pak te drejta, Serbia po kërkon që përmes platformës të saj po kërkon që me i bo ekuivalent me Katalonin, tha ai.
Ndërsa, analisti dhe publicisti Veton Surroi, tha se pakoja e Ahtisarit do të duhej të përmbyllte konfliktin me Serbinë.
Kosova dhe Serbia nuk e kanë kryer marrëveshjen e tyre me Pakon e Ahtisaarit, e as Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka përfunduar ndërmjetësimin e vet në këtë çështje, tha ai.
Kosova tashmë ka hyrë në dialogun me Serbinë, ku ndër çështjet më kritike që ka filluar të diskutohet është ajo e serbëve në veri të Kosovës dhe integrimi i tyre në strukturat shtetërore të vendit.