Veriu i Mitrovicës sërish tronditet nga një shpërthim
Policia e Republikës së Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka bërë të ditur se një mjet i paidentifikuar ka shpërthyer në ora 1 e 15 minuta në rrugën Tanaska Rajiq.
Zëdhënësi Avni Zahiti i tha Radios Evropa e Lirë, se nuk dihet se kush ishte cak i sulmit, meqë mjeti ka shpërthyer në rrugë në mes të një restoranti dhe banese.
Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet, derisa autorët e ngjarjes dhe shkaqet e shpërthimit mbesin ende të panjohura.
Që nga janari i këtij viti, policia thotë se kanë ndodhur mbi 20 shpërthime të natyrës së tillë.
Në asnjërin rast nuk është arrestuar askush. Veriu i Mitrovicës është shdnërruar në arenë të tillë shpërthimesh, derisa disa zyrtarët kanë thënë se shpesh cak i sulmeve janë serbët që punojnë për institucionet shtetërore të Kosovës.
Incidentet janë shpeshtuar më shumë në kohën kur në Bruksel kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, po diskutojnë modalitetet mbi zgjidhjen e problemit të strukturave paralale të financuara nga Serbia, të cilat e kontrollojnë këtë pjesë sikurse edhe komunat tjera me shumicë serbe ne veri.