Vendimi i Gjykimit të Shefqet Kabashit shpallet më 16 shtator
Hagë, 12 shtator - Vendimi i Gjykimit të Dhomës Gjyqësore në çështjen e shpërfilljes së Tribunalit kundër Shefqet Kabashit do të shpallet të premten, më 16 shtator 2011 në Sallën Gjyqësore I.
Kabashi, u akuzua për shpërfillje të Tribunalit pas refuzimit ose mosdhënies së përgjigjes në mënyrë të përsëritur nga ana e tij ndaj pyetjeje gjatë dhënies së dëshmisë së tij në qershor dhe nëntor 2007, në Dhomën Gjyqësore në procesin kundër Ramush Haradinajt dhe të tjerëve.
Më 26 gusht 2011, Kabashi u vetëdeklarua fajtor për të gjitha akuzat mbi shpërfillje të Tribunalit.
Kabashi është dëshmitar kyç i Prokurorisë në rigjykimin e Ramush Haradinajt dhe të tjerëve sepse dëshmia e tij ka të bëjë me pretendimin mbi përgjegjësinë e të akuzuarve për krime të kryera në shtabin dhe burgun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Jabllanicë.
Haradinaj, ish-komandant në UÇK dhe ish-kryeministër i Kosovës, dhe dy të bashkakuzuarit, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, po rigjykohen në lidhje me gjashtë pika të aktakuzës lidhur me torturimin dhe vrasjen e të burgosurve në kampin e drejtuar nga UÇK-ja në Jabllanicë.
Kur urdhëroi rigjykimin e pjesshëm të çështjes në korrik 2010, Dhoma e Apelit konkludoi se Dhoma Gjyqësore kishte gabuar në mossigurimin e dëshmisë prej Kabashit dhe një dëshmitari tjetër, duke e privuar në këtë mënyrë Prokurorinë prej mbështetjes kyçe për argumentet e saj.
Kabashi u arrestua nga autoritetet holandeze më 17 gusht 2011 dhe u transferua në paraburgimin e Tribunalit më 18 gusht 2011.
Paraqitja e tij e parë u bë më 19 gusht 2011 dhe seanca në lidhje me dënimin e tij u mbajt më 31 gusht 2011.