Vendet anëtare të NATO-s nuk janë kundër krijimit të Ushtrisë
Prishtinë, 21 mars - Vendet anëtare të NATO-s nuk janë kundër krijimit të Ushtrisë së Kosovës, bile ato kanë shprehur qëndrim pozitiv në lidhje me këtë çështje, ka thënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili po merr pjesë në Asamblenë e NATO-së në Sarajevë.
Sipas tij kundërshtimi i NATO-së dhe anëtarit kryesor të saj SHBA-së qëndron tek mënyra e krijimit të cilët kërkojnë që të mos shkelet kushtetuta e vendit.
Pas çdo takimi që kemi pasur në përgjithësi me anëtaret e NATO-s, pika e përbashkët ku jemi dakorduar ka qenë se Kosova duhet ta kenë ushtrinë e saj e edhe në kuadër të NATO-s nuk ka kundërshtime për këtë çështje e as nga SHBA-të, ata vetëm janë deklaruar sa i përket procedurave që duhet ndjekur për krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Kosova për momentin në lidhje me këtë çështje po kundërshtohet vetëm në planin organizativ që duhet ndjekur mbi bazën e kushtetutës, ka thënë Haliti për Indeksonline .
Në Sarajevë sot është dita e parë e punimeve e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilat po merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetari tjetër, Slobodan Petroviq.
Për tri ditë sa do të zgjas mbledhja e 94-të \"Rose-Roth\" e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të analizohet situata politike dhe e sigurisë në rajon dhe në vendet që po kalojnë kriza të mëdha, për sa i përket sigurisë, luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, sigurisë në Evropë, shtensionimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensionit nacionalist në mes vendeve e kombeve të shteteve të Ballkanit.
Delegacioni i Kosovës gjatë kësaj mbledhjeje do të angazhohet që ta promovojë idenë e paqes, lirisë, integrimit të rajonit në BE, promovimin e dëshirës dhe gatishmërisë për të vazhduar dialogun në mes të popujve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti me Serbinë.