Vazhdon kërkimi i tre të ngujuarve në fshatin Restelicë
Prishtinë, 12 shkurt - Përkundër kushteve të këqija atmosferike dhe rifillimit të reshjeve të borës, njësitë e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë tre njerëzit tjerë, të cilët thuhet të kenë qenë në shtëpi në momentin kur orteku i borës ka goditur shtëpitë në fshatin Restelicë të Dragashit.
Më herët është thënë se në momentin e goditjes së ortekut, këta tre persona kanë qenë në katin e dytë të një shtëpie, ashtu që dyshohet që ti ketë bartur orteku pas shkatërrimit të shtëpisë ku kanë qëndruar.
Nga FSK kanë bërë të ditur se janë të vendosur që kërkimi të vazhdojë deri në momentin kur ata të gjenden, ndërkohë që pritet të bëhet ndërrimi i njësiteve të kësaj force, raporton Telegrafi.
Ndërkaq, është konfirmuar nxjerrja e tetë personave- shtatë prej tyre të vdekur, ndërsa vetëm një fëmijë i ka shpëtuar kësaj tragjedie.
Zyra për informim e kryeministrisë njofton se në orën 11 e 30, Kryeministri, Hashim Thaçi do të vizitojë fshatin Restelicë të komunës së Sharrit.