Vazhdon integrimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës
Prishtinë, 28 dhjetor - Procesi i integrimit të ish- pjesëtareve të MUP-it në Policinë e Kosovës, i cili kishte filluar zyrtarisht me 13 dhjetor është duke vazhduar ashtu siç është paraparë.
Me 27 dhjetor janë nënshkruar kontratat e punës edhe të 63 zyrtarëve policor si dhe janë nënshkruar Deklaratat e betimit në përputhje me parimet dhe procedurat e Policisë së Kosovës.
Nënshkrimit të kontratave të punës iu ka paraprirë procesi i verifikimit të identitetit të tyre nga ana e Agjencisë së Regjistrimit Civil të MPB-së dhe verifikimit të së kaluarës së tyre nga ana e PK-së dhe EULEX-it.
Pas nënshkrimit të kontratave të punës pritet të vazhdohet me procedura të trajnimit, ku zyrtarët e rinj të Policisë së Kosovës në janar të 2014 do të fillojnë trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri për tu pajisur me njohuri lidhur me legjislacionin e Republikës së Kosovës, organizimin e brendshëm të PK-së, parimet dhe procedurat, etj.
Procesi i integrimit të pjesëtarëve tjerë pritet të vazhdoj sipas dinamikës së paraparë, në përputhje me procedurat të rekrutimit dhe kornizën ligjore të Policisë së Kosovës.