Vazhdon gjykimi ndaj Haradinajt
Hagë, 26 shtator - Në Gjykatën e Hagës po vazhdon sot seanca gjyqësore ndaj Ish- kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarëve të tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.
Seanca ka filluar në orën 09:00 ndërsa po zhvillohet me dyer të mbyllura. Rigjykimi i Ramush Haradinajt ndodh pas lirimit të tij nga aktakuza në vitin 2008.
Haradinaj ishte liruar si i pafajshëm nga të 37 akuza por më 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj.
Gjykata kishte pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t`i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit.
Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t`u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte.
Akuzat lidheshin me veprimtarinë e Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.