Vazhdon antifushata kundër zgjedhjeve në veri
Mitrovicë, 11 nëntor - Situata e sigurisë në veri gjatë javës së fundit ka qenë e qetë, por jo edhe e qëndrueshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, përmendi shpërthimin që ka ndodhur javën e kaluar në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve.
Si pasojë janë shkaktuar shumë dëme materiale, por nuk ka pasur të lënduar. Kërkojmë nga organet përgjegjëse që sa më parë të zbardhin rastin.
Duke u ndërlidhur me përsëritjen e votimeve që do të mbahen me 17 nëntor në tri qendra votimi në veri, Bala, theksoi se atje është duke vazhduar antifushata e grupeve ekstremiste kundër mbajtjes së zgjedhjeve.
Këto grupe janë duke i frikësuar qytetarët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të mobilizohen në mënyrë që më 17 nëntor të ketë kushte për zgjedhje të lira edhe në veri, përderisa përfaqësuesit e Policisë së Kosovës në jug, theksuan se janë duke u përgatitur që edhe balotazhi të shkoj pa probleme.