Vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur
Prishtinë, 25 mars - Në ditën e dytë të punimeve të saj Konferencën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur e përshëndeten presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministrja e Drejtësisë znj. Nekibe Kelmendi.
Presidenti Sejdiu përgëzoi ministren Kelmendi për punën e bërë në organizim e kësaj konference, dhe shtoi se beson që do të ketë mundësi të tjera që në të ardhmen me një përkushtim të përbashkët të njerëzve dhe të institucioneve që merren drejtpërdrejt me ketë çështje, të kemi edhe kallëzimin final se u ndriçua fati i secilit njeri të Kosovës.
Angazhimet tona nuk do të rreshtin në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve vendore profesionale e shkencore të kësaj fushe. Përkrahja shtetërore në ngritjen e këtyre kapaciteteve do të konkretizohet duke u bazuar edhe në konkluzionet që do të dalin nga kjo Konferencë Ndërkombëtare, ka thënë presidenti Sejdiu.
Ndërsa ministrja Kelmendi në fjalën e saj drejtuar pjesëmarrëseve të kësaj konference ka thënë së institucionet e Republikës së Kosovës që nga viti 2001 janë angazhuar për zbardhjen e fatit të pagjeturve.
Për zbardhjen e fatit të pagjeturve, institucionet e Republikës së Kosovës janë angazhuar menjëherë pas zgjedhjeve qendrore të vitit 2001. Mirëpo, për këtë çështje humanitare është një organ i rëndësishëm, i cili nuk ka bërë mjaft për personat e pagjetur, është Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, i cili asnjëherë nuk e detyroi Beogradin zyrtar të bëjë atë që duhet bërë për të pagjeturit, ka thënë ministrja Kelmendi.
Në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe familjareve të personave të pagjetur, ministrja Kelmendi kërkoj nga vendet pjesëmarrëse të kësaj konference që ta sponsorizojnë nxjerrjen e një rezolute detyruese nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të detyruar Beogradin që ti tregojë varrezat masive ende të pazbuluara.
Në anën tjetër, Naim Uka ekspert mjeko-ligjor në Departamentin për Persona të Zhdukur dhe Mjekësisë Ligjor, tha së qëllimi i organizimit të kësaj konference, është sensibilizimi i opinionit shkencor ndërkombëtar rreth çështjes së personave të pagjetur në Kosovë. Sipas tij si qëllim tjetër është që përmes kësaj konference çështja e të pa gjeturve të dërgohet në gjithë boten, ku në ketë drejtim do të kemi angazhime të reja shkencore nga kuadrat akademike ndërkombëtar.
Konferenca Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur do ti vazhdoj punimet edhe nesër.
Ali Chadly nga Akademia e Shkencave Forensike tha se çështja e të pagjeturve në vendet postkonfliktuoze është një problem që kërkon angazhim dhe bashkëpunim më të madh të të gjitha grupeve pavarësisht të kaluarës së tyre.
Këshilli i Evropës dhe Human Rights Watch kanë adresuar së fundi kritika ndaj institucioneve të vendit dhe EULEX që sipas tyre janë treguar të papërgjegjshëm në trajtimin e çështjes së rreth 2 mijë personave të pagjetur të luftës dhe gjithashtu është treguar neglizhencë edhe për qindra mbetje mortore në morgun e Prishtinës që presin për tu identifikuar.