Vazhdojnë kërkesat e mëdha të qytetarëve për dokumente
Mitrovicë,, 4 shkurt - Sektori i Shërbimeve Civile në Komunën e Mitrovicë, nga e hëna deri të mërkurën në orën 14:00, ka lëshuar 1.963 dokumente të ndryshme, ndërkaq numri i qytetarëve që kanë kaluar në regjistrin qendror është 383.
Shefi i sektorit, Afrim Voca, njofton se gjatë kësaj periudhe kohore, me kërkesë të qytetarëve janë lëshuar 762 ekstrakte të lindjes, 637 certifikata të lindjes (me foto), 136 certifikata të martesës, ndërkaq numri tjetër janë dokumente të tjera si certifikata të vdekjes, vendbanimit etj.
Nga këto dokumente, certifikata e lindjes me foto është nga më të kërkuarat dhe supozohet se ky është dokumenti që e shfrytëzojnë qytetarët tanë për të ikur nga Kosova në drejtim të vendeve perëndimore, përmes Serbisë.
Ka disa ditë që për shkak të kërkesave të mëdha të qytetarëve për tu pajisur me dokumentet e përmendura dhe tollovisë që po krijohet në hapësirat e Sektorit të Gjendjes Civile, zyrtarëve komunalë iu ka dal në ndihmë policia e Kosovës, për të mbajtur rend.