Ushtarë amerikanë zbarkojnë në Kosovë
Prishtinë, 10 mars - Në ditën kur djali i presidentit Donald Trump dhe senatori David Perdue u deklaruan për tërheqjen e trupave amerikane që shërbejnë në KFOR, Komanda Rajonale Lindore brenda forcës paqeruajtëse të NATO-s ka njoftuar se në dy ditët e kaluara, një kontingjent nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Oregonit ka arritur në Kosovë për të marrë kontrollin e Komandës Rajonale-Lindje si KFOR 27.
“Pas shumë javësh trajnimesh në Hohenfels, Gjermani dhe Fort Bliss, Texas, Ekipi luftarak i Brigadës së 41-të të këmbësorisë, Garda Kombëtare e Ushtrisë së Oregonit së shpejti do të marrë kontrollin e Komandës Rajonale-Lindje si KFOR 27. Ata do të vazhdojnë misionin e KFOR-it për të kontribuar për një mjedis të sigurt në Kosovë”, thuhet në njoftim në facebook.
Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.