USAID-i partner i besueshëm për fuqizimin e sistemit të drejtësisë
Prishtinë, 10 mars Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim Këshilltarin e Përgjithshëm të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, John Simpkins dhe përfaqësues nga zyra e USAID të udhëhequr nga drejtori i këtij misioni, James Hopes, me të cilët ka diskutuar për prioritetet në fushën e sundimit te ligjit.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi i ka njoftuar të pranishmit rreth të arriturave në sistemin e drejtësisë. Ministri Kuçi është përqendruar në konsolidimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike për personelin gjyqësor dhe prokurorial.
Ministri Kuçi gjithashtu e ka njoftuar z. Simpkins për fokusin e veçantë të këtij mandati në avancimin e fushës civile. Puna e Ministrisë së Drejtësisë gjatë këtij mandati po përqendrohet në konsolidimin e kornizës ligjore për të drejtat pronësore dhe hartimin e kodit të parë civil të Republikës së Kosovës, tha Kuçi. Ministri Kuçi dhe Këshilltari i Përgjithshëm Simpkins gjithashtu diskutuan për projektet e përbashkëta që ka Ministria e Drejtësisë me USAID-in dhe kontributin e USAID-it në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Këshilltari i Përgjithshëm i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, John Simpkins falënderoi Ministrin Kuçi për punën e bërë dhe theksoi se ky bashkëpunim dhe marrëdhënia e ndërtuar gjatë kësaj kohe do të vazhdoj të jetë funksionale dhe të rritet. Simpkins gjithashtu theksoi se USAID do të jetë gjithnjë në pozicion të ndihmojë Kosovën në zgjidhjen e problemeve dhe do të kontribuojë në fuqizimin e sektorit të drejtësisë.