UNMIK mbështetë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 13 tetor - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, kanë pritur në takim Shefin e Zyrës për Sundim të Ligjit të misionit të kombëve të bashkuara në Kosovë UNMIK, Antero Lopes.
Gatishmëria e misionit të UNMIK-ut për të mbështetur Prokurorin e Shtetit në fusha të ndryshme ishte në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Kryesuesit Maloku me Shefin e Zyrës për Sundim të Ligjit, Antero Lopes.
Kryeprokurori i Shtetit ka adresuar disa nga nevojat që Prokuroria i ka në fushën teknike, digjitale dhe infrastrukturore.
Tutje, Kryeprokurori Lumezi shprehi gatishmërinë institucionale për të thelluar bashkëpunimin me të gjithë mekanizmat që mbështesin punën e institucioneve të drejtësisë në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe vlerave vitale të demokracisë.
Në anën tjetër, Shefi i Zyrës për Sundim të Ligjit të misionit të Kombëve të Bashkuara në Kosovë UNMIK, Antero Lopes shprehu interesimin e tij që t’i dëgjojë nevojat institucionale të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, me ç’rast shprehi gatishmërinë e misionit që përfaqëson për t’i mbështetur të dyja institucionet.
Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë falënderuar Shefin e Zyrës për Sundim të Ligjit për vizitën dhe interesimin e treguar për të mbështetur sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.