UNDP dhe Gjilani me marrëveshje për të luftuar korrupsionin
Gjilan, 15 korrik - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe komuna e Gjilanit do të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi për të zbatuar një program tre vjeçar për të luftuar korrupsionin në një ceremoni që do të zhvillohet të martën, më 15 korrik, në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Gjilan, me fillim në ora 15:00.
UNDP do të punojë ngushtë me Komunën e Gjilanit për zbatimin e aktiviteteve të ndryshme që pritet të kenë një ndikim pozitiv në fuqizimin e kapaciteteve të komunës për të identifikuar dhe parandaluar korrupsionin në departamentet e zgjedhura.
UNDP-ja gjithashtu do të vazhdojë të mbështesë komunën në ngritjen dhe rritjen e mjeteve ekzistuese të komunikimit modern, përfshirë platformat e bazuara në internet dhe media sociale si dhe aplikacionet e telefonave celular për rritjen e transparencës komunale dhe fuqizimin e angazhimit qytetar në vendimmarrje.
Marrëveshja bën pjesë në kuadër të Projektit SAEK (Përkrahje Përpjekjeve për të Luftuar Korrupsionin në Kosovë) të UNDP-së financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).