U zbulua pllaka përkujtimore për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990
Prishtinë, 2 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe ish- deputetin Muharrem Shabani, zbuluan sot në hyrje të ndërtesës së Kuvendit pllakën me anë të së cilës përkujtohet 31-vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990.
Pllaka është vendosur pikërisht në vendin ku është lexuar Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990.
Kryetari Konjufca tha se me këtë pllakë nderojnë të gjithë ish-deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët ishin nënshkrues të Deklaratës së 2 Korrikut.
“Me deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990 ju e keni bërë Kosovën të barabartë me republikat tjera në atë kohë. Faktikisht ju e keni shpallë pavarësinë e këtij Kuvendi”, tha kryetari Konjufca.
Para deputetëve të legjislaturës së vitit 1990 dhe deputetëve aktual, ka folur ish-deputeti Muharrem Shabani, i cili para 31 vitesh e kishte lexuar Deklaratën e 2 Korrikut.
Shabani tha se kushtet dhe rrethanat, në ditën kur u shpall Deklarata Kushtetuese, ishin shumë të rënda, nën rrethim ushtarako-policor nga regjimi i atëhershëm jugosllav dhe të rrethuar nga të gjitha anët me snajperistë.
Megjithëkëtë, Shabani ka thënë se delegatët e atëhershëm ia arritën të miratojnë Deklaratën Kushtetuese, me anë të së cilës e shpallën Kosovën Republikë.