U lansua pakoja e instrumenteve mbi integritetin e Policisë

Prishtinë, 22 maj - Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), lansuan Pakon e Instrumenteve mbi Integritetin e Policisë së Kosovë, si bazë për dialog me grupet e interesit kombëtarë dhe ndërkombëtare si dhe ekspertëve.
Në këtë takim morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Darko Staniçiç, ndihmës-drejtor dhe shef i operativës të Evropës Juglindore nga DCAF, Ambasadori Norvegjez në Prishtinë, Jan Braathu, Ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Marty Lang, Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, Drejtori i Agjensionit Antikorrupsion, Hasan Preteni, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni, Kyeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, etj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se besimi i publikut te Policia është i ndërlidhur në masë të madhe me qëndrimin dhe sjelljen që ka Policia ndaj komunitetit në përgjithësi, e në veçanti me respektimin e rendit dhe ligjit dhe dinjitetit njerëzor dhe për këtë së bashku me DCAF-in po lansojmë Pakon e Instrumenteve mbi Integritetin e Policisë.
Ministri Rexhepi theksoi se po bëhen përpjekjeve të përbashkëta për ngritjen dhe demokratizimin e vazhdueshëm të Institucioneve të Sigurisë në Republikën e Kosovës, kultivimi i parimit themelor për kontrollin demokratik të këtyre institucioneve përbën thelbin e politikave reformuese.
Në këtë frymë ne kemi konsoliduar mekanizmat e kontrollit të brendshëm, siç është Inspektorati Policor i Kosovës dhe Drejtoria për Standardet Profesionale në kuadër të Policisë së Kosovës. IPK-ja pas marrjes së përgjegjësive shtesë për hetimin e veprave penale të dyshuara për përfshirje të zyrtarëve policor nga Qershori 2011 deri në Prill 2012 ka pranuar gjithsejtë 50 raste të dyshuara të natyrës korruptive,- tha .
Ministri, Bajram Rexhepi vuri në dukje se sistemi i drejtësisë penale luan një rol kyç në ruajtjen e rendit ligjor dhe Policia ka pjesën e saj të përgjegjësisë.
\"Është me rendësi jetike që brenda këtij sistemi të kemi mekanizma efikas demokratik të cilët do të kujdesën që Policia të përmbush misionin e saj në mënyrë të drejtë dhe në bazë të parimeve të demokracisë dhe sundimit të ligjit në përgjithësi\", tha ai.
Duke u nisur nga ky parim presim që institucionet përgjegjëse të kenë rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi duke ndjekur në vazhdimësi parimet e profesionalizmit, objektivitetit, paanshmërisë politike, mos-diskriminimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besuara në vend dhe ndër më të avancuarat në rajon.
DCAF ka iniciuar dhe zhvilluar Pakon e Instrumenteve mbi integritetin e Policisë për të ndihmuar shërbimet policore në hartimin e masave të efektshme për të trajtuar korrupsionin në polici, duke rritur aftësinë e policisë në luftën kundër krimit, përmirësuar sigurinë publike dhe përforcuar sundimin e ligjit dhe besimin e publikut te policia.
Pakoja e instrumenteve ndihmon vendim-marrësit dhe udhëheqësit e policisë për të gjetur përgjigje efektive ndaj shqetësimeve të qytetarëve lidhur me korrupsionin në Polici.