Turqit trashëgimtar të bazës Bondsteel në Kosovë
Berlin, 5 maj - Turqia mund të jetë trashëgimtare e bazës amerikane Bondsteel në Kosovë, shkruan gazeta gjermane Franfurt Neës, e cituar nga disa media ballkanase.
Në kuadër të kthimit të madh në Ballkan, Turqia do të mund të hyjë bazën ushtarake amerikane afër Ferizajt, Bondsteel, të cilën forcat e SHBA-së do ta braktisin së shpejti merr vesh Frankfurt Neës, duke u thirrur në burime diplomatike, shkruan gazeta boshnjake Dnevni Avaz.
Sipas gazetës bëhet fjalë për bazën më të madhe ushtarake amerikane të ndërtuar jashtë kufijve të SHBA-së pas luftës në Vietnam.
Largimin nga baza në afërsi të Ferizajt e ka paralajmëruar nga fundi i marsit ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për shkak të harxhimeve të mëdha financiare, një gjë që ka shkaktuar rrëmujë në mesin e analistëve dhe teoricienëve ushtarakë serbë, marrë parasysh paralajmërimin që bazën do të mund ta trashëgonin pikërisht turqit.
Ninoslav Krstic, ish komandat i forcave të bashkuara serbe të sigurisë, thotë se një skenar i tillë Serbisë assesi nuk mund ti konvenojë. Ish drejtori i agjencisë ushtarake serbe për zbulim, Momir Stojanovic ka thënë po ashtu se ia ka frikën hyrjes së forcave ushtarake turke në Kosovë. Analistë dhe ekspertë ushtarak serb kanë nxitur debate lidhur me këtë ofertë amerikane për rikthimin turk në Ballkan.